Huliganët, klanet e drogës dhe presidenti serb

Televizioni publik gjerman ARD mbi lidhjet e A. Vuçiqit me një grup kriminal të Beogradit dhe frikën e presidentit serb nga shefi i mafias Velko Belivuk, i cili para gjyqit ka thënë se «ka kryer punë» me urdhër të «shefit të madh». Njëra nga këto punë duket se ka qenë vrasja e njerëzve dhe copëtimi i tyre me një makinë për grirjen e mishit.

Pas një teksti të gjatë hulumtues të “New York Times Magazine” mbi lidhjet e presidentit serb A. Vuçiq me një grup të krimit të organizuar në Beograd, mbi këtë skandal të madh në Serbi ka raportuar tani edhe televizioni publik gjerman ARD. Sipas këtij mediumi një proces gjyqësor po e mban pa frymë opinionin në Serbi. Bëhet fjalë për huliganë, të cilët punonin për një klan të fuqishëm të drogës dhe akuzohen se kanë kryer vrasje brutale. Lidhjet e këtij grupi arrijnë me gjasë deri në krye të shtetit.Në Beograd është duke u zhvilluar një proces gjyqësor kundër 31 personave, të cilët akuzohen për vrasje, posedim droge, kidnapime dhe tregti me armë. Kreu i bandës quhet Velko Belivuk, prijës i huliganëve të ekipit të futbollit «Partizan» të Beogradit. Përkrahësit e këtij ekipi njihen si tejet agresivë dhe mbajnë lidhje me struktura të krimit të organizuar.

Krimet për të cilat akuzohen anëtarët e bandës së Belivikut dyshohet se i kanë kryer për një klan droge nga Mali i Zi. Ky klan prej vitesh zhvillon një përplasje të përgjakshme me një bandë tjetër. Vrasjet janë kryer jo vetëm në Serbi, por edhe në disa vende evropiane, thekson ARD. Huliganët e Partizanit, sipas ARD, njihen si më brutalët në Evropë. Stadiumi konsiderohet si qendër për shitje të drogës dhe për rekrutimin e anëtarëve të rinj të bandave.

Tani anëtarët e bandës së Belivukut akuzohen për vrasje bestiale. Në fillim të vitit 2021 hetuesit ndërkombëtarë dekoduan aplikacionin Sky ECC dhe gjetën aty fotografi të tmerrshme të kufomave të dëmtuara rëndë. Gjurmët çuan te një shtëpi në një fshat afër Beogradit me një hapësirë sekrete, në të cilët anëtarët e bandës kishin qasje përmes një vrime. Aty gjendej edhe një makinë për grirjen e mishit. Kriminelët i futën kufomat në këtë makinë dhe i bënë copë e grimë për t’i fshehur më lehtë.

Procesi në Beograd ka nxjerr në pah lidhjet e grupit me politikanët e vendit. Sipas gazetarit hulumtues Stevan Dojçinoviq, mafiozi Belivuk ka deklaruar gjatë procesit se roli i tij ka qenë të përkrahë demonstratat për presidentin Vuçiq dhe të pengojë protestat e opozitës. Belivuk, sipas Dojçinoviq, ka listuar favoret politike që ka kryer për Vuçiqin.

Rol kyç në lidhjet e Belivikut me strukturat shtetërore duket se ka luajtur polici Nenad Vuçkoviq, i cili njihet si figurë prijëse e huliganëve. Në një fotografi Vuçkoviq shihet bashkë me Belivukun. Grupi nuk kontrollohej vetëm nga Vuçkoviqi, por edhe nga nivelet më të larta, thekson Dojçinoviq. Në një komunikim mes Belivukut dhe policit, Belivuk shkruan se ai nuk i frikësohet askujt dhe «është gati». Pas kësaj polici Vuçkoviq përgjigjet se e dinte këtë, por në dijeni është edhe «shefi» po aq sa edhe “shefi i madh”. Për gazetarin Dojçinoviq është e qartë se shefi ishte ish-ministri i Brendshëm Nebojsha Stefanoviq, ndërsa i madh presidenti Vuçiq. Në një fotografi tjetër të botuar nga mediat serbe shihet i biri i Vuçiqit Danillo në përqafim të një mafiozi të bandës së Belivukut.

Gazetarja Brankica Stankoviq, e cila ka hulumtuar mbi lidhjet e huliganëve me politikanët, është kërcënuar dhe jeton nën mbrojtje të policisë. Sipas saj, huliganët serbë «janë të organizuar dhe të përshtatshëm për çdo keqpërdorim. Ata shndërrohen në hordhi të tërbuara, të cilat i nënshtrohen çdo apeli të strukturave të pushtetit, pa marrë parasysh çfarë përmban agjenda».

Para gjyqit në Beograd gjenden anëtarët e bandës së Belivukut, ndërsa politikanët e lidhur me të – jo.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme