Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka thënë se presidenti serb, Vuçiq ankohej, vajtonte dhe nuk tregonte të vërtetën në takimin me të.
Në një konferencë për media pas samitit të dytë të liderëve të Komunitetit Politik Evropian, Osmani tha se takimi me Vuçiqin ishte një kërkesë nga presidenti Macron dhe kancelari Scholz. Ajo tha se ishte një takim informativ dhe jo negociues.
“Nuk kisha asnjë plan të takohesha me Vuçiqin. Sigurisht, dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë është i vazhdueshëm në Bruksel…ishte mjaft një insistim që nga mëngjesi nga shumica e liderëve evropianë dhe sigurisht, si presidentja e njerëzve të Kosovës, dua të tregoj konstruktivitetin që është një virtyt i popullit tonë, të tregojmë vullnetin se mund të flasim me të gjithë…kjo nuk është hera e parë që e gjejmë vetën me Vuçiqin në një takim të tillë. Por, më duhet të them se ky takim, i cili ishte një takim mbi insistimin e presidentit Macron dhe kancearit Scholz, kërkesë e tyre të cilën e respektov,a duke qenë se janë disa nga aleatët tanë më të afërt, nuk ishte një takim negociues, por një që shkëmbyem pikëpamjet. Mund të them se Vuçiq shkëmbeu pamjet, ai vajtonte dhe ankohej dhe sigurisht nuk tregonte të vërtetën që është një virtyt i tij, duke qenë ministri i propagandës së Vuçiq”, tha ajo.
Osmani bëri të qartë se veriu mbetej një kryetemë në takimet e saj me liderët evropiane. Ajo theksoi se është kritike që Serbia ta ndalojë mbështetjen e këtyre grupeve kriminale që po shkaktojnë pjesën më të madhe të problemeve në veri, gjë të cilën thotë se kërkoi edhe nga vetë Vuçiq në takim.
Osmani tha se e pyeti nëse Vuçiq realisht konsideronte se a ka arritur një marrëveshje me Kosovën, duke i kërkuar ta largonte mbështetjen për grupet kriminale në veri të vendit.
Tutje, ajo tha se Kosovës iu kërkuan zgjedhje të reja në veri.
Si jo rrallëherë, Osmani ka thënë se Kosova gjendet në anën e duhur të historisë dhe gjendet këtu si rrjedhojë e mbështetjes së aleatëve të saj.