Gazetar: Ardit Ramadani
Shkeljet e Universitetit të Tetovës që kanë të bëjnë me caktimin e Kushtrim Ahmetit UD.Rektor pa qenë profesor i rregullt si dhe mos-shpallja e konkursit për rektor brenda afatit ligjor, të konstatuara edhe nga Inspektorati, nuk e bindin ministrin e Arsimit, Jeton Shaqiri që në këtë pikë të ndërmerr masa sanksionuese kundrejt këtij universiteti. Ai për ALSAT tha se fakti që UT-ja i kundërshton gjetjet e Inspektoratit, ja humb plotfuqishmërinë raportit dhe s’mund të ndërmerren masa.
“Jo nuk është vendim përfundimtar në një proces në qoftë se ka një raport të inspektoratit dhe kemi një palë tjetër e cila e kundërshton atë raport të inspektoratit. Janë edhe organet tjera të cilat vendosin, qoftë inspektorati ose shkalla e dytë të cilët vendosin, ose qoftë një procedurë gjyqësore midis palëve”, tha Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Ai megjithatë u duk i penduar që javë më herët i doli në mbrojtje Universitetit të Tetovës në lidhje me vendosjen e kritereve shtesë për Rektor, kritere këto të cilat sipas tij në atë kohë i “shtonin vlerën procesit” ndërsa sot, tha se vetë ka kërkuar nga UT-ja që t’i heq ato.
“Kuptohet, kishte një raport të inspektoratit i cili në të njëjtën kohë kishte një kundërpërgjigje nga ana e universitetit, unë kam kërkuar nga ana e ministrisë që universiteti i Tetovës dy kriteret të cilat nuk ishin kritere të parapara në Ligjin për Arsim të Lartë, nuk kanë qenë kritere të parapara as në konkurset e universiteteve të cilat tash kanë përfunduar procedurat, që të kenë konsideratë dhe të mos i përfshijnë në konkursin e ri”, u shpreh Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Rikujtojmë që për të gjitha këto shkelje ALSAT kishte informuar kohë më parë ndërsa të njëjtat më pas u konfirmuan edhe nga Inspektorati i Arsimit. Deri tani, është “korrigjuar” vetëm shkelja që kishte të bëje me vendosjen e kritereve shtesë, por askush s’është sanksionuar për shkeljet tjera të konstatuara, edhe atë. Përderisa Shaqiri pret vendimin përfundimtar për këtë çështje, procesi për zgjedhjen e Rektorit të ri në UT po vijon ndërsa ministri nuk u përgjigj në qoftë se konstatimi i gjetjeve të Inspektoratit, eventualisht mund ta rrëzojë poshtë si të pavlefshëm edhe këtë konkurs. /Alsat.mk