Bullgaria fitoi qeveri të rregullt, në koalicion me rivalët Petkov dhe Borisov

Gazetar: Luka Andreev

Pas dy vitesh pushtet të paqëndrueshëm, një qeveri e rregullt u zgjodh me 131 vota në parlamentin bullgar. Ajo do të udhëhiqet nga akademiku Nikollaj Denkov, i cili ishte propozim i partisë “Ne vazhdojmë me ndryshimet” e ish-kryeministrit Kiril Petkov. Megjithëse ishin rivalë të zemëruar me Petkovin, partia GERB e Bojko Borisovit merr pjesë gjithashtu në Qeveri. Marrëveshja e koalicionit u arrit përmes një zgjidhjeje për kryeministër me rotacion. Në nëntë muajt e parë,  qeverinë do ta udhëheqë  Denkov, përparësitë e të cilit janë hyrja në zonën Shengen dhe reformat në Gjyqësor. Në nëntë muajt e dytë, kryeministër do të jetë propozimi i Borisovit – ish komisionerja evropiane Marija Gabriel.

“Sot është dita për të zgjedhur një qeveri, që ka ekspertizën dhe guximin për të marrë vendime të rëndësishme dhe për të marrë përgjegjësi. Në javët e fundit, grupet parlamentare GERB dhe “Ne vazhdojmë me ndryshimin”, kanë bërë përpjekje për të shmangur rrezikun e organizimit të zgjedhjeve të gjashta parlamentare në dy vjet, me të cilat nuk do të kishte ndonjë ndryshim të rëndësishëm në rezultat. Ka pasur kompromise nga të dyja palët ”, deklaroi Nikollaj Denkov – Kryeministër.

“Unë jam sot optimist. Fakti që akademiku Denkov do të drejtojë qeverinë e Bullgarisë në nëntë muajt e parë, dhe Maria Gabriel në nëntë muajt e dytë më jep shpresë”, u shpreh Kiril Petkov – Kryetar i “Vazhdojmë me ndryshimin”.

Para fillimit të debatit në Parlament, reagoi Presidenti Rumen Radev.

“Unë shpresoj se qeveria nuk do të tradhtojë interesat kombëtare, ashtu si krerët e koalicionit të ri tradhtuan votuesit e tyre. Ju kujtohet se si Borisov bënte thirrje për të votuar për të, se partia “Vazhdojmë me ndryshimin” do ta shkatërronte vendin. Mos harroni se si “Vazhdojmë me ndryshimin” bënte thirrje për të votuar për ta, sepse GERB ishin mafia. Ata po e ndajnë pushtetin tani”, tha Rumen Radev – President i Bullgarisë.

Derisa partitë e Petkovit dhe Borisovit theksuan se ata do të mbrojnë zhvillimin evropian të vendit, mbështetësit e partisë pro-ruse Prerodba protestuan përpara parlamentit, duke i akuzuar ata se votohet për një “regjim pushtues amerikan”. Kreu i tyre, Kostadin Kostadinov, tha se qeveria e re nuk është një qeveri e popullit bullgar, por e ambasadave të huaja. /Alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme