Gazetare: Evi Shkopi
Ministria e Mjedisit Jetësorë dhe Planifikimit Hapësinorë njoftoi se projekti për stacionin e filtrimit i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Evropiane e Investimeve vazhdon, duke mohuar kështu zërat se punimet për realizimin e të njëjtit janë ndërprerë.
“Punimet për realizimin e projektit nuk kanë ndalur dhe vazhdohet me realizimin e të njëjtit. Deri në Ministrinë për Mjedis Jetësorë dhe Planifikim Hapësinorë ka mbërritur letër zyrtare se Qyteti i Shkupit në mënyrë aktive është i kyçur në grupet e punës”, njoftojnë nga Ministria e Mjedisit Jetësorë.
Nga Qyteti i Shkupit demantuan informacionet se projekti ka mbetur pezull. Kryetarja Danella Arsovska, e ftuar në një nga mediat në vend informacionet e tilla i quajti gënjeshtra.
“Projekti është në rrjedh e sipër. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim nuk i ka ndalur punët. Kjo është gënjeshtër e plasuar në media. Nuk e di kush dhe për çfarë arsyeje e ka bërë diçka të tillë. Megjithatë projekti vazhdon dhe zhvillohet me dinamikë të caktuar”, thonë nga Qyteti i Shkupit.
Pak ditë më parë në disa media në vend qarkulluan informacione se Banka Evropiane e Investimeve (EIB) dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim kishin ndalur projektin për shkak se shefja e njësisë së projektit për impiantin e trajtimit të ujërave të zeza në Shkup ishte shkarkuar më 20 prill nga drejtori i NP “Ujësjellës dhe Kanalizime”, pa u konsultuar investitorët. Sipas informacioneve Lindita Shakiri nuk ishte e informuar për shkarkimin e saj deri më 18 maj, andaj e njëjta ka mbajtur mbledhje më 11 maj edhe pse zyrtarisht nuk ishte në post. Kryetarja e Qytetit të Shkupit e pyetur rreth kësaj çështje tha se pyetjet duhet t’i adresohen drejtorit të NP “Ujësjellës dhe Kanalizime” Dragan Ilievski, duke shtuar se nuk mund të informohet opinion për shkarkimet apo emërimet e të gjithë personave të angazhuar në institucione. Edhe pse ky projekt ishte synim prej vitesh, kontratat për impianitn e pastrimit të ujërave të zeza në Shkup u nënshkruan vetëm një muaj më parë, pas disa muajsh zvarritje dhe përlasjesh të shumta politike.
Ndërtimi i stacionit filtrues për ujërat e zeza në Shkup është projekt që kap vlerën prej 200 milionë eurove, nga të cilat 136 milionë euro janë kredi nga Banka Evropiane e Investimeve dhe 70 milionë euro janë grant i pakthyeshëm nga Bashkimi Europian. Impianti për trajtimin e ujërave të zeza do të shtrihet në një sipërfaqe prej 13 hektarësh, në komunën e Gazi Babës, në bregun e majtë të lumit Vardar, në zonën e Trubarevës. /Alsat.mk