Gazetar: Lluka Andreev
Sipas presidentit Stevo Pendarovski, të gjithë e dinë se është joreale kërkesa e VMRO-DPMNE-së që ndryshimet kushtetuese të miratohen gjatë kësaj periudhe dhe të hyjnë në fuqi para anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Presidenti shpreson që kjo kërkesë e partisë opozitare të mos jetë vetëm arsyetim për të mos e filluar procesin e ndryshimeve kushtetuese.
“Për mendimin tim, është absolutisht përtej realitetit. Edhe unë do të doja diçka të tillë, por konkluzionet e Këshillit janë të qarta – ju duhet të bëni ndryshime kushtetuese deri në fund të procesit të skriningut për të vazhduar automatikisht me Konferencën e dytë dhe hapjen e kapitujve”, tha Stevo Pendarovski– president.
Pendarovski përkujtoi se konkluzionet e Këshillit të BE-së vitin e kaluar janë miratuar me konsensus dhe janë pranuar nga të gjitha vendet anëtare, përfshirë edhe Bullgarinë.
“Duhet të kemi konkluzione të reja dhe ju e dini sa e vështirë ishte në atë kohë arritja e një konsensusi të plotë, që të diskutojmë në përgjithësi që amendamentet kushtetuese mund të miratohen sot, dhe ato të hyjnë në fuqi më vonë pas dy, tre, pesë apo sado vite janë të nevojshme për negociatat”, deklaroi Stevo Pendarovski– president.
Delegacioni i BE-së në vend kujtoi se konkluzionet e Këshillit janë të qarta. Ato parashikojnë fillimisht përfundimin e amendamenteve kushtetuese dhe më pas mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare. VMRO-DPMNE, nga ana tjetër, theksoi se partneriteti nënkupton “rrugë dykahëshe”. Partia dje përsëriti se fuqizimi i shtyrë i amendamenteve kushtetuese është qëndrimi i tyre i fundit dhe përfundimtar, dhe nëse BE-ja vërtet dëshiron që Maqedonia të bëhet anëtare, atëherë ky propozim është bazë e mirë për kompromis dhe vazhdimin e procesit. /Alsat.mk