Gazetar: Mefail Ismaili
Korrupsioni “lulëzon” në institucionet lokale. Mungesa e transparencës në pushtetin vendor është në nivel shqetësues. Kështu vlerëson Omer Ajdini nga Instituti për Demokraci dhe Analiza ekonomike IDEA. Në bazë të sondazheve niveli i transparencës për shfrytëzimin e parave publike është vetëm 27%.
“P.sh. le të marrim Ndërmarrjen për transport në nivel të qytetit të Shkupit. Ajo ndërmarrje bën diku 24 milion euro të hyra, ndërsa humbja vjetore është diku tek 4 milionë euro, ndërsa ka jo mjaftueshëm të dhëna pse kjo qeverisje kaq e keqe ose pse ky rezultat i dobët financiar. Pra niveli lokal i qeverisjes vuan nga transparenca e vogël”, tha Omer Ajdini, IDEA.
Ajdini thotë se mungesa e transparencës dhe rritja e korrupsionit në institucionet publike lokale, ndodh për shkak të mungesës së ndëshkimit ndaj personave përgjegjës në këto institucione.
“Më shumë fokus duhet të vendoset tek transparenca proaktive, pra institucionet duhet të detyrohen dhe të ndëshkohen nëse ata nuk i nxjerrin informatat me karakter publik dhe jo vetëm institucionet por edhe personat të cilët janë përgjegjës që ti nxjerrin ata informacione, sepse në fund të fundit është faktori njeri ai i cili e përcakton nivelin e transparencës në nivel lokal dhe faktori njeri duhet të ndëshkohet nëse ata informacione nuk janë transparente”, u shpreh Omer Ajdini, IDEA.
Sipas Omer Ajdinit nga IDEA, rol kyç luan edhe ministria e Pushteti Lokal e cila duhet të jetë më efikase në punën e saj. Sipas Transparency International Maqedonia e Veriut është ndër vendet me korrupsionin më të lartë në botë, respektivisht në të njëjtin rang me Mongolinë. /alsat.mk