Nata e mbrëmshme ishte e kobshme për nënë e bir nga komuna e Pejës. Pas reshjeve të mëdha të shiut, ata u morën nga rrjedha e ujit dhe nuk arritën të shpëtonin. Ngjarja ndodhi në rrugën “Asllan Qeshme” në komunën e Pejës.
Kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri në një prononcim për Nacionalen ka bërë të ditur se në shtëpinë e viktimave, kishte hyrë uji nga dy anët. Ata janë marrë nga rrjedha e ujit teksa po provonin ta ndalnin rrjedhën.
Muhaxheri deklaroi se kanë pranuar kërkesa për ndihmë nga Tirana e Prishtina, por që për momentin nuk është e nevojshme. Sipas tij, situata më e rëndë ka qenë mbrëmë.