Zhurma e borizanëve të qeverisë: Safeti viktimë, Alma agresore

Bga Alfred Lela

 

Makineria propagandistike qeveritare është në punë me kohë të plotë edhe pse vera me zheg sfilitës I thërret njerzëit në hije dhe letargji. Një javë e këtej përpjekja kryesore e saj ka qenë si të ndërrohet drejtimi që ka marrë narrativa (linja e ligjërimit publik) për skandalin “Gjici”. Duke e pranuar si të pamundur për t’u kundërsulmuar, për arye të pamjeve të qarta dhe të pamohueshme, socialistët e kanë zhvendosur përpjekjen te ndërrimi i kahjes së debatit.

E gjitha e përqendruar në një pikë: shantazh ndaj kryebashkiakut të Kukësit. Pra, të mos flitet për shkelje ligjore apo etike, për shpërdorim detyre apo korrupsion zyrtar, por për një skemë të mirëpërgatitur që përfshin njerëz të opozitës dhe të krimit, bërë bashkë për të rrëzuar ‘një kalorës të së drejtës dhe të mirës’ si Safet Gjici.

Së pari goditet dhe diskreditohet personazhi tjetër në videon. Synimi është i qartë: të flitet për pandershmërinë e gruas dhe jo për atë të zyrtarit shtetëror. Kjo përpjekje fiton shpejtësi, në një shoqëri ku, si në Margaritaville të Jimmy Buffet ‘there is a woman to blame’. Në Shqipëri gratë janë shënjestra fare të lehta. S’do mend: në një shoqëri persona seksuae e së cilës shpërfaqet dhe përfaqësohet nga seksualiteti i penguar i shumë burrave.

Gruaja e videos shfaqet herë si recidiviste (përsëritëse), herë si gazetare, herë si detektive private, dhe thuajse të gjitha kontekstet ku hidhet kanë ngarkesa negative. Përsëritëse (është kurvë… me këtë merret dmth), gazetare (kanë qarkulluar disa video erotike të tyre), detektive private (pse, punë grash është kjo?!).

Konteksti dhe gjuha ngjyrosen qëllimisht me situata kundrathënëse, me qëllim që personazhet të ndërrojnë vendet. Safeti të bëhet viktima dhe Alma agresori.

Logjika nuk qëndron, dhe një grua nuk mund të dënohet për kategorizimin nën atë që mund të quhet ‘grua e lirë’. Një zyrtar shtetëror, nga ana tjetër, nuk është i lirë të bëjë çfarë të dojë në zyrat e shtetit, dhe sidomos të kërkojë seks, që lehtësohet nga atributi i tij si titullar dhe vendimmarrës (le ta pranojmë: në një pub në Glasgow-t një kokëkuqe nuk do rendtte drejt tij).

Ata që zgjedhin këtë narrativë dhe e hedhin gruan në skërkat e poshtërsisë përgënjeshtrohen nga kronologjia e videos. Në rastin e një shantazhi erotik, prej të cilit pret të nxjerrë një përfitim, gruaja do e bënte bisedën për përfitimin e mundshëm (kontratën për sterilizimin e qenve) para seksit, dhe jo pas tij, siç është rasti këtu. Ajo mund të akuzohet për nimfomani, por jo shantazh. Regjistrimi i aktit seksual është sigurisht një abuzim, por jo agresion.

Mbrojtësit e Gjicit, qeveritarë, analistë apo patronazhistë, duhet të vihen përballë kundrapyetjes: Cilin do zgjidhnin mes dy abuzimeve? Atë të gruas që zbulon ‘fytyrën’ e një pushtetari (por edhe të vetën), apo të pushtetarit dhe mbështetesve të tyre, që kanë format dhe mjetet për t’i fshehur zullumet e tyre?

Ky është rrafshi ligjërimor i problemit, por poshtë tij kërkon të fshihet rrafshi politik. Në këtë rrafsh qeveria dhe proxy-t e saj po kryejnë një persekutim politik të gruas. Në vend të marrjes së përgjegjësive për skandalin, i cili nuk është i pari ndër kryebashkiakët e PS, Qeveria organizon linçimin e një prej protagonistëve në video duke ‘harruar’ kryesorin.

Safet Gjici nuk është viktima e atij regjistrimi dhe as e episodit. Ai është një pjesëmarrës i plotë dhe i pashtrënguar, dhe lehtësia me të cilën vepron, si të ishte në dhomën e gjumit, nuk e lejon të shpallet viktimë.

Në habitatin, vullnetin dhe lirinë e vet, askush nuk është viktimë. Kush vepron i lirë nga instrumentet e lirisë duhet ta marrë edhe shpagimin.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme