Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, në mbledhjen e Qeverisë të enjten i është përgjigjur Komisionit Evropian për masat e ndërmarra ndaj Kosovës, për shkak të situatës në Veri ku BE-ja gishtin e drejton kah Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti.
Kurti nuk ka qenë i ashpër në reagim, duke thënë se Kosova mbetet aleati më i sinqertë dhe më i qëndrueshëm i Bashkimit Evropian.
Fjalën e tij, Kurti e ka publikuar edhe në Twitter, aty ku e ka komunikimin publik me bashkësinë ndërkombëtare.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se është për të ardhur keq për këto masa, pasi Kosova vetëm po i mrbon vlerat edhe të vetë Bashkimit Evropian.
“Masat për Kosovën. Masat janë për të ardhur keq, p.sh. pasi ato janë një reagim ndaj mbrojtjes sonë të patundur të vlerave bazë të vetë BE-së—demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Megjithatë, Kosova mbetet aleate e BE-së, besnike ndaj asaj që përfaqëson Unioni”, ka thënë Kurti.
Bashkimi Evropian e fajëson Kosovën për dërgimin e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore, duke kërkuar që ata të punojnë në objekte alternative.
Po ashtu, kërkojnë që Njësitë Speciale të Policisë së Kosovës të largohen nga hapësira rreth komunave.
Këto kërkesa të BE-së janë në kuadër të përpjekejeve siç thonë zyrtarët evropianë për de-përshkallëzim të situatës në Veri. /Gazeta Express