“Vuçiç, nacionalist”, sekretari i Lëvizjes Pan-Europiane Austriake kundër sanksioneve të BE për Kosovën: Arrestimi i 3 efektivëve, provokim nga Serbia!

Rainhard Kloucek, sekretar i Përgjithshëm i Lëvizjes Pan-Europiane Austriake i ka dërguar një letër Bashkimit Europian në lidhje me sanksionet e vendosura ndaj Kosovës, ku në qëndrimet e tij shprehet kundër këtyre masave.

Masat ndëshkuese erdhën pas qëndrimit të qeverisë Kurti në lidhje me qasjen ndaj konflikteve në veri të Kosovës.

Në letrën e tij, Kloucek jep argumentet mbi situatën, ku thekson se Vuçiç shfaq pikëpamje nacionaliste, ndërsa thekson se arrestimi i 3 efektivëve të policisë së Kosovës ishte provokim nga Serbia.

LETRA
BE-ja dëshiron që të vendosë sanksione ndaj Kosovës. Sfondi i kësaj janë trazirat me ushtarët e KFOR-it që u qëlluan pas zgjedhjeve lokale në rajonin e Mitrovicës. Serbët që jetojnë atje i bojkotuan zgjedhjet, që do të thotë se vetëm kosovarët u zgjodhën në zyrat e kryetarëve të komunave në një rajon të banuar me shumicë serbe. Sipas raportimeve, ka pasur një marrëveshje me qeverinë e Kosovës para zgjedhjeve, që ato të shtyheshin dhe që të arrihej që të bindeshin serbët që të merrnin pjesë në këtë proces. Instalimi i bashkive, me kryetarë shqiptarë, çuan në kryengritje të dhunshme serbe. Tashmë BE-ja dëshiron të vendos sanksione ndaj Kosovës. Nga ana tjetër, rezultatet e zgjedhjeve janë legjitime.

Po të kishin marrë pjesë serbët, tani do të kishte kryetarë serbë në disa komuna, por qytetarët serbë bojkotuan.
Menjëherë pas trazirave, tre efektivë shqiptarë janë arrestuar nga policia serbe në territorin e Kosovës dhe janë dërguar në Serbi. Edhe nëse tani janë të lirë, një veprim i tillë duhet parë si provokim i Serbisë. Presidenti Vuçiç, i cili rastësisht ishte i afërt me kriminelin e luftës Sllobodan Millosheviç, ka premtime edhe për Kosovën, por edhe për BE-në dhe SHBA-në. Siç dihet, Serbia mbështeti çështjen e sanksioneve kundër shtetit terrorist, Rusisë. Vuçiç dëshiron të përfitojë nga rezerva e BE-së në konfliktin e Kosovës dhe vazhdon të ndezë zjarrin duke vënë ndër të tjera ushtrinë në gatishmëri. Madje mund të ketë rrezik që ai ta mbajë Serbinë si një urë lidhëse për Moskën. Sipas raporteve që qarkullojnë, qendra humanitare serbe në Nish duket se është nën ndikimin rus.

 

 

Në BE, Kosova ka hasur prej kohësh një ngurrim të caktuar. Për gjysmën e dytë të vitit 2023, Spanja mban Presidencën e Këshillit Evropian dhe ky shtet nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Në çështjen e tensionit është i përfshirë dhe Përfaqësuesi i Lartë për politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, Josep Borrell, që është spanjoll. Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, është Miroslav Lajcak, nga Sllovakia. Edhe ky shtet nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi, nga ana tjetër, është hungarez dhe nuk është sekret që kryeministri hungarez Orban ka simpati për sistemin e presidentit serb Vuçiç, i cili shpesh vepron në mënyrë nacionaliste. Duket e rëndësishme të theksohen këto plejada të BE-së për të parandaluar sanksionet shumë problematike kundër Kosovës, kundër një vendi që ende po përpiqet të njihet plotësisht në Europë.

(BalkanWeb)

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme