Nga i besuar i Ramës në armik/ VOA: Parlamenti e fshehu për 3 ditë kërkesën e SPAK për Ahmetaj

Nga Zëri i Amerikës

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit i ka kërkuar parlamentit autorizim për arrestimin e deputetit dhe ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, si dhe kontrollin e banesës së tij. Sipas Prokurorisë, zoti Ahmetaj dyshohet të ketë kryer të paktën tre vepra penale nga nga mosdeklarimi apo fshehja e pasurisë, te korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë, dhe pastrimi i parave.

Kërkesa e Prokurorisë së posaçme është paraqitur që të premten, por vetëm sot u bë e ditur nga ajo vetë, përmes një njoftimi publik, ndërsa deputetët e shumicës socialiste e mësuan gjatë mbledhjes së grupit të tyre.

Njoftimi i Prokurorisë, mjaftohej me shpjegimin se ish zëvendës kryeministri dyshohet për disa vepra të ndryshme penale, që nga mosdeklarimi apo fshehja e pasurisë, te pastrimi i parave dhe korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë. Për këtë të fundit, sipas Prokurorisë së posaçme, zoti Ahmetaj dyshohet të jetë i përfshirë në 6 raste.

Hetimi ndaj tij ka nisur vitin e kaluar, fillimisht si pjesë e rastit të inceneratorëve. Verifikimi i postës elektronike të sipërmarrësit Klodian Zoto, i përfshirë si për inceneratorin e Elbasanit, ashtu dhe atë të Fierit, ngriti dyshime për lidhje mes të dyve, dhe pagesa të bëra në favor të Ahmetajt. Ky i fundit ka mohuar të ketë patur lidhje me Zoton, por jo njohjen me sipërmarrësin tjetër Mirel Mërtiri, i cilësuar nga prokuroria si ‘truri’ i aferës së inceneratorëve.

Një tjetër procedim, që u bashkua më pas me të parin, u regjistrua nga Prokuroria pas dyshimeve për një vilë të blerë nga bashkëjetuesja e zotit Ahmetaj në zonën e Hamallajt në bregdetin e Durrësit, pas së cilës mendohet se qëndron po Zoto, por që sipas Ahmetajt, është blerë në mënyrë të rregullt nga një person tjetër. Në mars të këtij viti prokuroria ushtroi kontrolle në këtë banesë si dhe në banesat e ish bashkëshortes. Vila në Hamallaj dhe një tjetër në Palasë, e cila mendohet se i përket ish bashkëshortes, u sekuestruan me kërkesë të Prokurorisë, ndërsa kreu i saj deklaroi më pas se gjatë kontrolleve të ushtruara ishin gjendur prova.

Zoti Ahmetaj ka qenë një ndër ministrat më jetgjatë në tre kabinetet e kryeministrit Edi Rama, duke u bërë një figurë kyçe e socialistëve. Ai gëzoi për një kohë të gjatë mbështetjen e fortë të kryeministrit, si ndaj akuzave publike të opozitës, ashtu dhe ndaj pakënaqësive jo të pakta, nga brenda radhëve të socialistëve. Po në korrik të vitit të shkuar zoti Rama e shkarkoi në mënyrë të papritur zotin Ahmetaj, duke e zhveshur më pas dhe nga funksionet brenda Partisë socialiste, gjë e cila shënoi dhe ndarjen e thellë mes të dyve.

Në shkresën e Prokurorisë së posaçme për autorizim për arrestimin e zotit Ahmetaj, kërkohet që të gjitha procedurat parlamentare të zhvillohen me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor. Parlamenti njoftoi se mbledhja e Këshillit të Mandateve për të shqyrtuar rastin, do të zhvillohet nesër pasdite. Opozita nga ana e saj kishte kërkuar thirrjen e menjëhershme të Këshillit. Nuk dihet nëse zoti Ahmetaj do të zgjedhë të mbrohet personalisht në Këshill, përpara se të merret vendimi. Ai nuk ka reaguar ende ndaj kërkesës së Prokurorisë. Po ashtu nuk ka patur asnjë reagim zyrtar nga shumica socialiste, ndonëse në të kaluarën ka deklaruar disa herë se nuk do të jetë në asnjë rast ‘avokate’ e kujtdo që duhet të përballet me drejtësinë.

Ahmetaj është i treti anëtar i qeverive të Kryeministrit Rama, nga viti 2013, që vihet nën akuzë. Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, u dënua vitin e kaluar me 3 vjet e 4 muaj burg për ‘Shpërdorim detyre’. Ish ministri i Mjedisit Lefter Koka, ndodhet nën arrest me burg për rastet e inceneratorëve të Elbasanit dhe Fierit, ndërsa dy proceset gjyqësore ndaj tij janë drejt përfundimit në shkallën e parë të gjykimit.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme