Pas deklaratave që presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq i ka bërë kundër deputetes së Parlamentit të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, duke thënë se ajo dhe aktrivitetet e saj “antiserbe” po hetohen nga autoritetet serbe, në këtë Parlament është kërkuar që për këtë çështje të raportojë ambasadori serb në Britani.
Kryetarja e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, Kearns, në fillim të këtij muaji, gjatë një debati në Parlament, ka ngre alarm se në Kosovë po kontrabantohen armë nga Serbia dhe po ruhen në kishat ortodokse serbe. Sipas saj, transporti i armëve bëhet nëpërmjet autoambulancave dhe se këtë informatë tashmë e ka qeveria britanike.
Deputeti britanik Anthony Mangnall gjatë një debati në Parlamentin e Britanisë së Madhe, që është mbajtur të martën, ka lexuar deklaratën e presidentit serb, Vuçiq, duke thënë se kjo është deklaratë e papranueshme e një kreu shteti.
“U alarmova thellësisht kur pashë se e nderuara deputete për Rutland-in, Kryetarja e Komisionit të Përzgjedhur të Punëve të Jashtme, u kërcënua nga presidenti i Serbisë, i cili në përgjigje të fjalimit të saj, tha se tashmë po bëjmë një hetim kundër saj për të parë se çfarë po bëni, për të parë kush ju paguan dhe për të parë pse po e vendosni Republikën e Serbisë në një pozitë të tillë”, ka theksuar Mangnall.
Ai ka thënë se nëse qeveria e Britanisë së Madhe nuk është e gatshme të reagojë, nuk është problem, por se ata detyrohen të reagojmë.
“Kjo është një deklaratë e papranueshme e një kreu shteti. Dhe nuk është thjesht një kërcënim për deputeten e Rutland-it, por një taktikë frikësuese për të gjithë deputetët. A mund të më qetësojë kryetari, ju lutem, se asnjë presion i ushtruar jashtë këtij vendi, veçanërisht nga qeveritë e huaja, nuk do të rrezikojë kurrë sigurinë ose privatësinë e deputetëve dhe se fuqia e plotë e Parlamentit, do të përdoret për të parandaluar taktikat e bullizmit dhe për të siguruar që deputetët mund të thonë të vërtetën. A nuk mendon edhe kryetari se ky është një moment në të cilin duhet thirrur ambasadori serb për të shpjeguar këtë qëndrim dhe deklaratë”, ka deklaruar Mangnall, shkruan TCH.
Ndërsa kryetari i dhomës në Parlamentin britanik, Lindsay Hoyle tha se është parim themelor kushtetues që deputetët të mund të flasin lirshëm në seanca.
“Kërcënimet ndaj deputetëve që kryejnë punën e tyre janë krejtësisht të papranueshme, kushdo që i bën ato. Dhe përtej kësaj, i kujtoj deputetit të nderuar se çështjet e sigurisë operacionale nuk i diskutojmë publikisht dhe nuk duam që ato të shkojnë më tej. Ajo që unë do të thosha është sigurisht që ne e marrim seriozisht, dhe sigurisht që kushdo qoftë, çfarëdo pozite, qoftë ai një mbështetës, qoftë Komiteti i Përzgjedhur Gjerman, duhet të jetë në gjendje të flasë hapur dhe lirshëm pa frikë dhe rikujtoj shtetet e huaja se ata nuk kanë të drejtë të kërcënojnë askënd nga kjo Dhomë dhe jam i sigurte se kërkesa për të thirrur ambasadorin është dëgjuar, kjo nuk më përket mua siç e di, por unë sigurisht që kam ngritur zërin që kjo të ndodhë”, theksoi ai.
Presidenti i Serbisë, i kishte reaguar deputetes britanike Alicia Kearns, duke thënë se ajo njihet për “aktivitete e saj antiserbe”.
“Pretendimet e Alicia Kearns, që njihet për aktivitetet e saja antiserbe dhe lobiste, thonë se tani përveç veprimeve policore, po futen edhe elemente shtesë, si sulme ndaj Kishës Ortodokse Serbe dhe sistemit shëndetësor në Kosovë e M., dy shtylla në Kosovë e M., duke u përpjekur që të trembin serbët”, kishte deklaruar Vuçiq.
Ai kishte thënë se autoritetet serbe po e hetojnë Kearnsin dhe aktivitetet e saja.
“Sulmi ndaj Kishës Ortodokse Serbe nuk është i rastësishëm dhe i padëmshëm. Kurti në një fjalim të tij ka thënë se nga armiqtë më të mëdhenj të Kosovës, ekziston një që është më i rrezikshëm se Aleksandar Vuçiq, ai është Kisha Ortodokse Serbe”, kishte deklaruar Vuçiq.