Gazetar: Adnan Qaili
Protesta para Gjykatës Penale në Shkup me kolonën zanore “Bella Ciao” të filmit për vjedhjen e shekullit ishte larg për tu dëgjuar nga Ministria e Financave, për të cilën iu referohej kërkesa për rritje pagash. Me pankarta me mbishkrimet “Pagat evropiane për ne dhe për ju”, Sindikata e Pavarur e Administratës Shtetërore dhe Sindikata e Pavarur e Shërbimit Gjyqësor, shprehë pakënaqësinë ndaj vendimit të djeshëm të Ministrit të Financave për të mos nënshkruar vendimin e Këshillit Gjyqësor për pagesën e shtesave 15% nga arkëtimi që është bërë nga buxheti tyre e as për rritje pagash 30%. Nëse kërkesa e tyre nuk merret parasysh, ata thonë se do të hynë në grevë të përgjithshme nga 1 shtatori, duke paralizuar punën e administratës gjyqësore dhe duke bllokuar rrugën para godinave gjyqësore të kryeqytetit.
“Nuk pajtohemi me rritjen e pagave prej 10% për të cilën është marrë vesh Qeveria dhe Sindikata. Ne gjithashtu nuk pajtohemi me K-15 në vlerë prej 10 mijë denarë. Është shumë revoltuese që nga fondet tona, pra 15% e mjeteve të ndarë nga Këshilli Gjyqësor për paga, dje ministri i Financave i refuzoi”, tha Jasmina Veliçkova, kryetare e Sindikatës së Pavarur të Administratës Gjyqësore.
Protestuesit insistojnë që ato para janë destinuar për ta nga buxheti i shtetit, duke ilustruar se fondi i Gjykatës Penale nga 1 janari deri më sot ka arkëtuar 13 milion denarë nga pagesat paushallë të gjyqit.
Për 12 muaj do të ishte shuma prej 39 milionë denarë nga paushalli, kurse arkëtimi nga taksat gjyqësore, lëshimin e certifikatave dhe gjobat nga vendimet e formës së prerë arrijnë në 147 milion denarë bruto.
“Reformat në pushtetin gjyqësor duhet të fillojnë nga administrata gjyqësore andaj bëjmë thirrje dhe kërkojmë mbështetje nga Këshilli Gjyqësor dhe Shoqata e Gjykatësve të veprojnë në sjelljen e ligjit të ri për buxhetin gjyqësor të pavarur dhe me ligj ti rregulloj të drejtat e administratës gjyqësore”, theksoi Renata Georgievska, nënkryetare e Shoqatës së Administratës Gjyqësore.
Protestë me mosbindje është zhvilluar njëkohësisht edhe në Gjykatat Themelore Ohër, Manastir, Strugë, Shtip, Sveti NiIkollë dhe Tetovë. As në Kumanovë nuk u punua, por jo nga protesta, por ku gjithë javën godina është jashtë funksionit si pasojë e një zjarri që shkrumboi një pjesë të arkivit me lëndë gjyqësore. /Alsat.mk