Gazetare: Ajnur Bafqari
Ministrja e Mjedisit Jetësor do të jetë përkrah protestuesve në Strumicë kundër hapjes së minierës Ilovica-Shtuka në një zonë bujqësore. Kaja Shukova tha se personalisht është kundër minierave dhe nënvizoi se prodhimi ushqimor duhet të jetë gjithmonë prioritet ndaj industrive ndotëse.
“Nesër do të jem në Strumicë dhe do t’i bashkohem protestës. Dua të dëgjoj qytetarët dhe të jem pjesë e këtij procesi. Në koordinim me kryeministrin dhe ministrat e tjerë do të rishqyrtojmë vendimin për bashkimin e dy koncesioneve… Ne jemi një vend i vogël dhe mendoj se bujqësia duhet të jetë prioriteti ynë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm kur japim leje shfrytëzimi për industrinë shumë ndotëse” , deklaroi Kaja Shukova, Ministre e Mjedisit Jetësor dhe planifikimit hapësinor.
Nga kompania “Euromaks” deklaratën e ministres e kanë cilësuar të dëmshme.
“Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, obligohet të jetë në dijeni për pasojat e mundshme juridike të deklaratës së sotme në të cilën ka shprehur mendimin e saj personal se në përgjithësi është kundër minierave”, thonë nga Euromaks Resorses.
Protestës së organizuar nga shoqata civile “Zdrava Kotlina” i ka paraprirë Vendimi i Qeverisë për bashkimin e koncesioneve për minierën “Ilovica- Shtuka”, me çka hapi rrugën për nxjerrjen e arit dhe bakrit në luginën e Strumicës, gjë që ka shkaktuar reagime te banorët e tre komunave dhe organizatat e shoqërisë civile që prej disa vitesh luftojnë për ruajtjen e këtij rajoni bujqësor./Alsat.mk