Gazetare: Evi Shkopi
Sead Sllezoviq ,I plagosuri nga atentati që një ditë më parë u bë ndaj dy shtetasve të Maqedonisë së Veriut që ndodheshin në Greqi është jashtë rrezikut për jetën. Ministria e Punëve të Jashtme nuk shpalos shumë detaje konkrete në komunikatën e sotme, por nga ky dikaster thonë vetëm se institucionet janë në komunikim të vazhdueshëm me ato greke.
“Sipas informacioneve të marra nga Konsullata e Përgjithshme në Selanik, e cila është në komunikim të rregullt me spitalin ku ndodhet i plagosuri nga incidenti i djeshëm në Halkidiki, i plagosuri ndodhet në gjendje stabile dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Rrjeti diplomatik-konsullor i Maqedonisë së Veriut në Greqi është aktiv, përkundër njoftimeve të rregullta, është në dispozicion edhe për çdo nevojë të institucioneve tona. Sipas informacioneve të marra nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, në fushën e bashkëpunimit operativ menjëherë pas ngjarjes së djeshme, shërbimet e dy vendeve janë në komunikim të vazhdueshëm dhe shkëmbejnë informacione për të mirë të hetimit dhe zbardhjes së rast”, njoftojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Autoritetet greke vazhdojnë hetimet për gjetjen e autorëve të vrasjes. Pas ngjarjes së një dite më parë policia greke ka intensifikuar kontrollet në të gjitha pikat kufitare. Në disa media qarkullojnë informacione se policë, identiteti i të cilëve mbetet anonim, kanë thënë për Associated Press se besojnë se bëhet fjalë për vrasje me porosi. Sipas informacioneve, të pa konfirmuara nga autoritetet, të cilat po dalin në dritë thuhet se sulmi është kryer në oborrin e vilës ky qëndronte viktima Orhan Bajrami dhe shoku i tij Sead Slezoviq. Ndër të tjerat thuhet se në oborrin e vilës në kohën e sulmit kanë qenë të pranishëm edhe dy burra dhe një grua, të cilët nuk janë lënduar nga sulmi. Në shumë media në vend qarkullojnë informacione se në rrjetet sociale janë publikuar materiale ku paralajmërohej eliminimi i Orhan Bajramit, por më pas këto materiale janë fshirë. Jo zyrtarisht, dyshimet e para janë se vrasjet e ndodhura së fundmi, përfshirë edhe atë të një ditë më parë janë pastrim hesapesh mes klaneve që kontrollojnë “nëntokën” në kryeqytet. Pothuajse të gjitha versionet që qarkullojnë në mediat në vend dhe ato në Greqinë fqinje lidhin rastin e djeshëm me vrasjet e viteve të fundit, duke i kategorizuar si hakmarrje mes grupeve kriminale. /Alsat.mk