Komuna e Shuto Orizares ka ndarë 2,5 milion denarë për pastrimin e deponisë në Vizbegut. Por, nuk janë të mjaftueshme për të pastruar tërësisht këtë pasiv mbeturinash disa vjeçare. Nga Komuna Shutkës kërkojnë që aksionit ti bashkëngjiten Qyteti i Shkupit dhe Ministria e Ekologjisë për të çrrënjosur këtë deponi ilegale e cila po ngufatë banorët e zonës. Ky aksion do të zgjasë disa ditë dhe mbeturinat do të transportohen në Deponinë kryesore Drislla të Shkupit. Kryetar i Komunës Shuto Orizare, Kurto Dudush iu bëri thirrje banorëve të zonës që të mos hedhin më mbeturina aty, por problemin e shkaktojnë edhe të gjithë banorët e Shkupit, të sjellin materiale interte me kamionë në deponinë ilegale të Vizbegut.
“Romët ose thënë ndryshe banorët e Komunës së Shuto Orizarës, njësoj meritojnë mjedis të pastër dhe të shëndetshëm jetësor. Paramendojeni, këtu në 45 gradë nxehtësi vetëm 100 metra nga deponia jetojnë njerëz, rritin fëmijë dhe ajo erë e keqe me ajër të ndotur përhapet, siç po e nuhatim edhe ne sot. Më këtë fundërrinë njerëzit jetojnë 20 vite dhe askush nuk ka ndërmarrë asnjë aksion deri më tani për të pastruar. Menduam që me pak para mund ta përfundojmë, por ekspertët që erdhën konstatuan se do duhet rreth 1 mijë kamionë nga 20 metër/kub që do të kushtojë diku rreth 20 milion denarë për tu pastruar tërësisht”, tha Kurto Dudush, Kryetar i Komunës Shuto Orizare. /Adnan Qaili