Këshilltarja politike e kryeministrit të Kosovës për Luginë të Preshevës, Ardita Sinani, ka bërë të ditur se “për herë të parë në historinë e Kuvendit Komunal të Preshevës, mbahet seancë e jashtëzakonshme ditën e diel, në ora 8:00 të mëngjesit dhe tërësisht në errësirë informative, duke mos u transmetuar as nga faqja zyrtare e Komunës së Preshevës”.
Sinani, përmes një shkrimi në Facebook, ka thënë se seanca e jashtëzakonshme mbahen për sitna të jashtëzakonshme, por sipas saj, “e vetmja situatë e jashtëzakonshme, ishte zgjatja e jetës politike të një individi: Shqiprim Arifit”.
“Është zgjatje e jetës politike, sepse ditëve të fundit, pakënaqësitë me udhëheqjen e pushtetit lokal, përveç se nga jashtë taborit politik të shumicës, ato u shpërfaqën edhe brenda tij.
Duke sjellë kështu situatën kur një këshilltar nga radhët e APN dhe subjekti politik UDSH të distancohen nga politikat e të parit të Komunës dhe duke u tërhequr nga shumica qeverisëse në pushtetin lokal në Preshevë.
Sinai më tej ka shtuar se në këtë seancë u kaluan disa pika të rendit të ditës “pa asnjë debat dhe pa asnjë sqarim” kështu “brenda më pak se 5 minutave u bënë pjesë e një turpi që do të mbahet mend gjatë”.
“Sepse sot, në ditë vikendi, pa mbulim mediatik, në mënyrë tinëzare një shumicë e brishtë prej 20 këshilltarëve, prej tyre 18 këshilltarë shqiptarë dhe 2 këshilltarë serbë brenda më pak se 5 minutave u bënë pjesë e një turpi që do të mbahet mend gjatë. Në ato pak minuta të të ashtuquajturës “seancë”, u kaluan një mori pikash të rendit ditës, pa asnjë diskutim, pa asnjë debat dhe pa asnjë sqarim se pse ky pushtet lokal pati ngërç politik sa të vije puna që në limitet e afatit ligjor të mbajë “seancë”.
Për opinionin e gjerë shqiptar në Preshevë, Luginë e kudo…kjo “seancë” është ftuar me sms të dërguar nga sekretaria e Kuvendit kryetarëve të grupeve të këshilltarëve dje pasdite.
Ky “shqyrtim i situatës politike” kaloi pa asnjë fjalim, asnjë arsyetim së cilës situatë politike po i referohen!”, ka shtuar ajo.
Ajo ka thëne se ditëve në vijim mund të “sqarohet pse synimi për të mbajtur gjallë politikisht një individ të shantazhuar e të zhytur thellë në llumin e nëntokës së politikës së Beogradit duhet të mbahet tinëzisht, pa media, në ditë vikendi, në 8 të mëngjesit, e i mbuluar nën arsyetimit të seancës së jashtëzakonshme” e për të “shqyrtuar” kinse “situatën politike në Preshevë“.
“Mbase do të dalin në pah edhe marrëveshjet e errëta me Listën serbe, grupacion politik që dihet botërisht që vendimet politike për të qenë apo jo të përfshirë në ndonjë akrobacion të tillë si ky i sotshmi, i merr nga qendra në Beograd. Gjegjësisht nga Aleksandër Vuçiqi.
Mbase edhe do të kuptohet nga të gjithë, pse një grupacion politik shqiptar në Preshevë, i quajtur nga Shqiprim Arifi, PATERICË, duhej të ishte pjesë edhe e këtij turpi si ky i sotshmi.
Por, një gjë është tashmë shumë e qartë. Të gjithë e kuptuan.
Tash çdo shqiptar në Preshevë, Luginë e kudo, e ka kuptuar pse Shqiprim Arifi me plot “guxim” çirret ndaj institucioneve të Republikës së Kosovës e Shqipërisë, e nuk guxon të thotë asnjë fjalë për shefin e BIA që Thesari shtetëror amerikan i shpall sanksione.
Sepse nga andej është i shantazhuar, dirigjuar e kontrolluar!”, ka përfundua Sinani./dukagjini