Gazetar: Adrian Kerimi
19 shtetas bullgarë dhe 2 tifozë të Shkupit janë arrestuar si pasojë e dhunës ditë më parë në ndeshjen mes Shkupit dhe Levskit.
Një grup i huliganëve bullgarë që ishin ndarë nga ruta që po përcillej nga policia, kaluan rrugëve të Çairit. U sulmuan me gjësende të forta, ndërsa një tifoz është lënduar rëndë.
Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski ka deklaruar se tifozët bullgarë kanë kaluar nëpër Çair për të provokuar, ndërsa sulmuesit e tyre shpejtë do të gjenden para organeve të rendit.
“Kishte disa vetura të cilat kanë ardhur të pa organizuar dhe duke kaluar nëpër Çair, si pasojë e provokimit ka ardhur deri tek konflikti. Është lënduar një person, ndërsa sulmuesit janë identifikuar”, tha Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.
Prokuroria Publike ka njoftuar se është hapur hetim për zbardhjen e sulmit ndaj tifozit bullgar.
“Duke u kthyer në automobil, 29 vjeçari shtetas bullgar është lënduar me mjet të fortë në pjesën e abdomenit. I është konstatuar lëndim i rëndë trupor dhe është shtruar në spital. Pas intervenimit kirurgjik gjendja e tij paraqitet e qetë”, njoftojnë nga Prokuroria Publike.
Tifozët bullgarë në stadium drejtuan thirrje nacionaliste ndaj maqedonasve dhe shqiptarëve.
Tifozët e Shkupit drejt stadiumit të qytetit shkuan me përcjellje të policisë, ndërsa me tifozët bullgarë u konfrontuan edhe tifo grupi i Vardarit të njohur si Komitët. /Alsat.mk