Gazetar: Adrian Kerimi
Opinionistët vlerësojnë se veprimet e Ali Ahmetit për t’i tërhequr ministrat nga Qeveria me kushtin që opozita të voton për ndryshimet kushtetuese, në fakt janë trik që kreu i BDI-së po ndërmerr për të shpëtuar nga rënia prej pushtetit. Sipas Arsim Sinanit, Ahmeti po nuhat humbjen e tij dhe këto veprime po i ndërmerr për mos tu turpëruar nga opinioni dhe votuesit shqiptar.
“Perceptimi im është se ky është fillimi i fundit politik të Ali Ahmetit dhe klanit të tij i cili me gjasë të gjitha parametrat flasin se dëshirojnë ta shpëtojnë vetveten nga rënia drastike të cilën e kanë aktualisht. Unë mendoj se ky fillimi i fundit politik të Ali Ahmetit dhe mendimit të tij politik i cili duhet të shkoj në harresë për shqiptarët në Maqedoni”, tha Arsim Sinani, Analist.
Profesoresha Mirjana Najçevska vlerëson se veprimi i BDI-së nuk është i sinqertë. Sipas saj, dorëheqjet janë bërë sa për sy e faqe për ta nxjerr opozitën para aktit të kryer. Najçevska shton se BDI me këtë veprim tenton t’i huton qytetarët se me të vërtetë është e përkushtuar në rrugën Evropiane.
“Dorëheqjet nuk është patjetër të pranohen dhe e dyta kjo nuk do të thotë se BDI del nga Qeveria. Ata ministra mund të zëvendësohen me kuadro të reja, pra ministra të rinj. Assesi se nuk bëhet fjalë për qëllim të mirë. Kam thënë edhe më herët dhe e them edhet tani, kur u ndryshua regjimi dhe iku VMRO-DPMNE-ja duhej patjetër të largohej edhe BDI-ja. Ata ishin në sinergji, kanë punuar bashkë dhe bashkërisht kanë bërë krime. Nuk mund të largohet vetëm një pjesë dhe të presim se pjesa tjetër nuk do të prodhon gangrenë të re dhe helmim të ri”, deklaroi Mirjana Najçevska, profesoreshë.
Najçevska dhe Sinani konstatojnë se sikur BDI të ishte e sinqertë në qëllimin e saj, dorëheqjet e ministrave do të ishin të parevokueshme dhe jo të kushtëzuara. /Alsat.mk