Në raportin vjetor të Bashkimit Evropian mbi të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Kosovë për vitin 2022, thuhet se nevojiten përpjekje shtesë nga autoritetet për të garantuar në mënyrë efektive të drejtat e pakicave etnike, duke përfshirë romët, ashkalitë dhe egjiptianët, personat me aftësi të kufizuara dhe personat e zhvendosur.
Aty tërhiqet vërejtja se situata në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë mbetet sfiduese, veçanërisht sa i përket korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa nuk harrohet të përmendet se dorëheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës vitin e kaluar ka ndikuar negativisht në situatën e sigurisë dhe sundimit të ligjit atje.
“Dorëheqja masive e serbëve të Kosovës nga institucionet publike dhe ngritja e barrikadave pasuese ndikuan negativisht në situatën e sigurisë dhe sundimin e ligjit në rajonin verior, ku sistemi i drejtësisë dhe policia funksionojnë me kapacitet të reduktuar”, thuhet në raportin e BE-së.
“Ky mjedis politik ka qenë i favorshëm që Kosova të shtojë përpjekjet e saj për të forcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit. Megjithatë, puna e kuvendit vazhdoi të ndikohet negativisht nga një atmosferë e polarizuar politike dhe mungesa e kuorumit vendimmarrës”, thuhet në raportin e BE-së.
Sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërjmet Kosovës dhe Serbisë, aty thuhet se për shkak të “krizave të përsëritura” në marrëdhëniet Prishtinë-Beograd “situata mbetet e brishtë në terren”, ndërsa vëmendja i kushtohet propozimit të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.