Klubet arabe e duan Kessien
Franck Kessie e ka një të ardhme për t’u definuar.
Mesfushori nga Bregu i Fildishtë, i cili u largua vitin e kaluar nga Milani për t’iu bashkuar Barcelonës, është i gatshëm të largohet nga “Blaugrana” pas vetëm një viti qëndrimi aty.
Në shënjestër të mesfushorit luftarak janë klubet italiane, mbi të gjitha Juventusi dhe Interi.
Por, futbollisti i lindur në vitin 1996 tash po kërkohet edhe nga klubet nga Arabia Saudite.
Së fundmi në garë për lojtarin ka hyrë Al Nassr i Cristiano Ronaldos, ndërsa atë e do edhe Al Ahli.
Barcelona i kërkon së paku 15 milionë euro për kartonin e mesfushorit, por përballë sauditëve të pasur kampioni spanjoll mund të kërkojë më shumë para.
Edhe vetë futbollisti e ka hapur si një mundësi transferimin në Saudi Pro League duke e pasur parasysh se atje mund të paguhet shumë më tepër sesa në Evropë.
Mediumi spanjoll “Sport” raporton se për Kessien interesim kanë shfaqur edhe klubet e Premierligës, mbi të gjitha Tottenhami.
Por, e ardhmja e tij mbetet e paqartë, të paktën për momentin…