Gazetar: Adrian Kerimi
Banorët e lagjes Kumanova e re në Kumanovë ankohen nga pasojat e punimeve në autostradën dhe hekurudhën që kalon pranë shtëpive të tyre. Ujërat atmosferik të grumbulluar nga autostrada dhe hekurudha nuk kanë rrjedhë adekuate dhe për pasojë përfundojnë në pronat e banorëve. Të injoruar nga autoritetet lokale dhe qendrore, banorët janë detyruar që ditë më parë ta obligojnë kompaninë “Strabag” t’i ndërpresë punimet. Kërkesat e tyre janë të qarta: ujërat atmosferik të derdhen në lumin që rrjedh disa metra më poshtë dhe jo në pronat private.
“Ne jetojmë poshtë, kanalizim atmosferik nuk kemi. Problemi është se neve jemi të dëmtuar dhe duan të na dëmtojnë edhe më shumë. Dje ishim te kompania “Strabag” dhe i ndërpremë punimet për shkak se nuk po bëhen ashtu siç duhet”, deklaroi Jakup Çoti, Banor i lagjes Kumanova e re.
Deri në zgjidhjen e problemit, nuk do të lejohet vazhdimi i punimeve.“U mblodhëm ne familjarë dhe bashkëqytetarë sepse jemi një pjesë shumë e madhe e banorëve këtu dhe u organizuam që punimet të ndërpriten deri në gjetjen e një zgjidhjeje. Kyçjen të cilën e hapën, i detyruam ta mbyllin sepse neve nuk kemi ku të shkojmë. Kjo është pronë private”, shtoi Jakup Çoti, Banor i lagjes Kumanova e re.
Përfaqësues të kompanisë kanë kërkuar të takohen me banorët. Këta të fundit u kanë thënë se zgjidhja duhet gjendet në terren dhe jo në zyrat e kompanisë. Televizioni Alsat kërkoi nga kompania “Strabag” që të na jep informacion mbi rrjedhën e projektit, planin për menaxhimin e ujërave atmosferik dhe evitimin e dëmeve ndaj pronave private, por deri në këto momente nuk morëm asnjë përgjigje. Banorët na informuan se ditë më parë kanë pasur një takim me përfaqësuesit e kompanisë, autoritet e hekurudhës dhe përfaqësuesit komunal. Në terren është konstatuar se kompania ka ndërtuar rrjedhën e ujërave në mënyrë jo ligjore duke tentuar që shtratin e tyre ta kalojë nëpër prona private. Një gjë e tillë nuk është lejuar nga banorët. Të hënën banorët do t’i adresohen kompanisë “Strabag” nga ku do të kërkojnë konkretizimin e projektit dhe definimin e rrjedhës së ujërave atmosferik. Në lagjen Kumanova e re ka të paktën 20 shtëpi. Përveç problemit që kanë me kanalizimin atmosferik, rruga që çon në këtë lagje është një problem në vete. Në çdo reshje shiut, vështirësohet qarkullimi. Dëmet që kanë shkaktuar reshjet ndër vite, asnjëherë nuk u janë kompensuar, ndërsa disa shtëpi janë detyruar të shpërngulen. /Alsat.mk