Ndotja e ajrit lidhet me rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve, tregon një studim i ri

Ndotja e ajrit nxit rezistencën ndaj antibiotikëve, duke rritur rrezikun për shëndetin e njeriut, ka zbuluar një studim i ri global. Hulumtimi, i cili mblodhi të dhëna nga 100 vende për një periudhë prej dy dekadash, tregon se rritja e ndotjes së ajrit është e lidhur me rritjen e rezistencës ndaj antibiotikëve në të gjithë vendet në të gjitha kontinentet.

Sipas hulumtimit, me kalimin e kohës, lidhja midis ndotjes së ajrit dhe rezistencës ndaj antibiotikëve rritet dhe rritet në mënyrë lineare.

“Analiza jonë tregon prova të forta se nivelet e rritura të ndotjes së ajrit janë të lidhura me një rrezik në rritje të rezistencës ndaj antibiotikëve. Kjo është analiza e parë që tregon lidhjen mes këtyre dy gjërave në nivel global”, thonë studiuesit-autorë, nga Kina dhe Britania e Madhe.

Gjetjet e hulumtimit janë publikuar në revistën shkencore mjekësore Lancet Planetary Health.

Rezistenca ndaj antibiotikëve është një nga rreziqet më në rritje për shëndetin global. Mund të prekë njerëz të çdo moshe dhe territori dhe tashmë vret 1.3 milionë njerëz në vit në mbarë botën.

Sipas shkencëtarëve, arsyet për këtë janë ende përdorimi i gabuar dhe i tepruar i antibiotikëve, por studimi tregon se këto probleme janë përkeqësuar nga rritja e nivelit të ndotjes së ajrit.

Sipas provave, grimcat PM2.5 përmbajnë baktere që janë rezistente ndaj antibiotikëve, dhe mund të transportohen në mjedise të ndryshme dhe të thithen nga njerëzit, theksojnë autorët.

“Rezistenca ndaj antibiotikëve dhe ndotja e ajrit janë dy kërcënimet më të mëdha për shëndetin global”, tha një nga autorët e studimit, Hong Chen.

“Deri më tani, ne nuk kishim një pamje të qartë të marrëdhënies midis të dyjave, por ky studim sugjeron se përfitimet e kontrollit të ndotjes së ajrit mund të jenë të dyfishta – jo vetëm që do të reduktohen efektet e cilësisë së dobët të ajrit, por përhapja e baktereve që janë rezistente ndaj antibiotikëve”, tha Chen.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme