Një kandidat për president, ekuadorian, i njohur për kundërshtinë e tij ndaj karteleve dhe korrupsionit u qëllua dhe u vra të mërkurën në një tubim politik në kryeqytet, mes një vale befasuese të dhunës së drejtuar nga bandat në vendin e Amerikës së Jugut.
Presidenti Guillermo Lasso konfirmoi vrasjen e Fernando Villavicencio dhe sugjeroi se krimi i organizuar qëndron pas vrasjes së tij, më pak se dy javë përpara zgjedhjeve presidenciale të 20 gushtit.
Në fjalimin e tij të fundit përpara se të vritej, kandidati Villavicencio i premtoi një turme të zhurmshme se do të çrrënjoste korrupsionin dhe do të burgoste “hajdutët” e vendit.
Para të shtënave, kandidati Villavicencio tha se kishte marrë kërcënime të shumta me vdekje, duke përfshirë bashkëpunëtorët e kartelit Sinaloa të Meksikës, një nga grupet e shumta ndërkombëtare të krimit të organizuar që tani veprojnë në Ekuador. Ai tha se fushata e tij përfaqësonte një kërcënim për grupe të tilla.
“Këtu po tregoj fytyrën time. Unë nuk kam frikë prej tyre, “tha Villavicencio në një deklaratë, duke iu drejtuar me emër, bosit të arrestuar të krimit José Adolfo Macías me pseudonimin “Fito”.
Villavicencio ishte një nga tetë kandidatët, megjithëse jo kryesuesi. Politikani, 59 vjeç, ishte kandidati për Lëvizjen Build Ecuador.
Mbështetësja Ida Paez tha se fushata e kandidatit Villavicencio i kishte dhënë shpresë se vendi mund të kapërcente mbi bandat. Në tubim, ajo tha: “Ne ishim të lumtur. Fernando madje kërceu. Fjalët e tij të fundit ishin, nëse dikush ngatërrohet me popullin, ai po ngatërrohet me familjen time.”
Ndërsa trafikantët e drogës kanë filluar të përdorin portet bregdetare të vendit, ekuadorianët janë zhytur në dhunë të paparë për dekada. Zhurmat e të shtënave kumbojnë në shumë qytete të mëdha ndërsa bandat rivale luftojnë për kontroll dhe bandat kanë rekrutuar fëmijë.
Vetëm muajin e kaluar, kryetari i bashkisë së qytetit port të Mantës u qëllua dhe u vra. Më 26 korrik, Lasso shpalli një gjendje të jashtëzakonshme duke mbuluar dy provinca dhe sistemin e burgjeve të vendit në një përpjekje për të frenuar dhunën.
Ish-zëvendëspresidenti dhe kandidati Otto Sonnenholzner tha në një konferencë shtypi pas vrasjes së të mërkurës: “Ne po vdesim, po mbytemi në një det lotësh dhe nuk e meritojmë të jetojmë kështu. Ne kërkojmë që ju të bëni diçka.”
Videot e tubimit në mediat sociale duket se tregojnë kandidatin Villavicencio duke u larguar nga eventi i rrethuar nga roje. Më pas, videoja tregon kandidatin duke u futur në një kamionçinë të bardhë përpara se të dëgjohen të shtëna, të ndjekura nga britma dhe zhurmë rreth kamionit. Kjo sekuencë ngjarjesh u konfirmua për Associated Press nga Patricio Zuquilanda, këshilltari i fushatës së Villavicencio.
Këshilltari Zuquilanda tha se kandidati kishte marrë të paktën tre kërcënime me vdekje përpara të shtënave, të cilat ai ua kishte raportuar autoriteteve, duke rezultuar me një ndalim. Ai u bëri thirrje autoriteteve ndërkombëtare që të marrin masa kundër dhunës, duke ia atribuar dhunës në rritje dhe trafikut të drogës.
“Populli ekuadorian po qan dhe Ekuadori është plagosur për vdekje,” tha ai. “Politika nuk mund të çojë në vdekjen e asnjë anëtari të shoqërisë.”
Kandidati Villavicencio ishte një nga zërat më kritikë të vendit kundër korrupsionit, veçanërisht gjatë qeverisë 2007-2017 të Presidentit Rafael Correa.
Ai ishte gjithashtu një gazetar i pavarur që hetoi korrupsionin në qeveritë e mëparshme, duke hyrë më vonë në politikë si një aktivist kundër korrupsionit.
Villavicencio paraqiti shumë ankesa gjyqësore kundër anëtarëve të rangut të lartë të qeverisë Correa, përfshirë edhe kundër vetë ish-presidentit. Ai u dënua me 18 muaj burg për shpifje për kritikat e tij ndaj Correa-s dhe u arratis në territorin indigjen në Ekuador, duke marrë më vonë azil në Perunë fqinje.
Edison Romo, një ish-kolonel i inteligjencës ushtarake, tha se ankesat kundër korrupsionit e bënë Villavicencio “një kërcënim për organizatat kriminale ndërkombëtare”.
© SYRI.net