Paqartësi në prag të seancës për ndryshimet kushtetuese

Gazetar: Luka Andreev

Tani për tani, është e paqartë se si do zhvillohet debati në seancën plenare në Kuvend për nevojën e hapjes së Kushtetutës, i planifikuar për të premten. Kjo seancë është testi i parë për ndryshimet kushtetuese, përkatësisht nevojitet shumicë prej dy të tretash që procesi të vazhdojë. Shumica më parë kishte deklaruar se u mungonin votat e tetë deputetëve nga 80 të nevojshmet. Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ndërkaq, së fundmi njoftoi se nëse nuk ka shumicë prej dy të tretave, është e mundur të pezullohet seanca dhe të vazhdohet në momentin kur deputetët e opozitës përfundimisht do të ndryshojnë mendje. Sipas VMRO-DPMNE, kjo është blerje e kohës për shumicën për të shmangur zgjedhjet e parakohshme. Nuk dihet nëse deputetët e opozitës do të jenë të pranishëm në sallë dhe do të marrin pjesë në debatin që do të fillojë të premten. Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski tha më herët se do të bisedojë me organet e partisë se si do vazhdojnë më tutje, por deri më tani nuk është marrë asnjë vendim. Nga kjo parti sot shkurt u përgjigjën:

“Ndryshimet kushtetuese nën diktatin bullgar nuk do të kalojnë. Le të ndërpresin me kombinimet që bëjnë. E vetmja rrugë logjike, pas uljes së legjitimitetit të kësaj qeverie të premten, do të jenë zgjedhjet e parakohshme parlamentare,” deklaroi Naum Stoilkovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë, shumicës i mungojnë ndoshta më shumë se tetë vota. Partia opozitare Alternativa tha sot se qëndrimin e saj përfundimtar do ta bëjnë të ditur ditën e votimit. Ata rikujtuan kërkesat e tyre gjatë procesit të hapjes së Kushtetutës.

“Ne mbështesim heqjen e termit ofendues“20%”, të cilin e shohim se nuk respektohet dhe gjithashtu për ne është shumë i rëndësishëm amendamenti ynë kushtetues për të mos lejuar vjetërsimin e veprave të korrupsionit nga politikanët, sepse besojmë se pas ndryshimeve kushtetuese ai lloj reforme do të jetë kyç në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian,” tha Orhan Murtezani – Alternativa.

Seanca për nevojën e hapjes së Kushtetutës mund të zgjasë maksimum dhjetë ditë dhe nëse ka dritë jeshile, sipas afateve, i gjithë procesi i ndryshimeve kushtetuese mund të përfundojë për tre muaj e gjysmë. Plani i Qeverisë është që procesi të përfundojë deri në fund të nëntorit dhe të përkojë me përfundimin e procesit të skriningut të vendit. Megjithatë, zyrtarë të lartë njoftuan se nëse jo tani, ata do të kërkojnë shumicë prej dy të tretash deri në fund të mandatit të Qeverisë, përkatësisht deri në qershor të vitit të ardhshëm. /alsat.mk

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme