Kongresisti amerikan, Ritchie Torres, ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë produktive me zëvendës këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jonathan Finer, lidhur me tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ligjvënësi amerikan ka thënë se zëvendës-këshilltarit amerikan për Siguri Kombëtare i ka përcjellur nevojën për të mbështetur marrëdhëniet speciale SHBA-Kosovë dhe nevojën që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja të trajtojë Kosovën drejtë dhe respektin që e meriton si një shtet sovran.
“Kam pasur një bisedë produktive me Zëvendës Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare, Jonathan Finer, lidhur me tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si kongresist për Bronx-in, duke përfaqësuar mijëra shqiptarë nga Kosova, i përcolla nevojën për të mbështetur marrëdhëniet speciale SHBA-Kosovë – të cilën ai e kupton thellësisht – dhe nevojën që dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ta trajtojë Kosovën drejt dhe me respekt sikurse e meriton një shtet sovran”, ka shkruar Torres, në një postim në platformën X (ish-Twitter, transmeton Telegrafi.
Më tej ai ka thënë se “bisedën e mbylla duke u ndjerë i sigurt se Finer e di rëndësinë kritike të ruajtjes dhe forcimit të marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Kosovës”.
Ligjvënësi amerikan Torres kohë më parë kishte shprehur kritika ndaj administratës së presidentit Biden për qëndrimin ndaj Kosovës.
Tutje ai ka thënë se Kosova është aleat i palëkundur i SHBA-së, ndërsa Serbia ka qenë prej kohësh një satelit në orbitën e Rusisë si dhe Kinës.
Tensionet në veri janë rritur që nga 26 maji, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët shqiptarë të komunave Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të vendosen në objektet komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur serbët lokalë u përleshën me ushtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet mbetën të lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Kryetarët e katër komunave në veri të vendiit u zgjodhën më 23 prill, votime që u bojkotuan nga partitë dhe popullata lokale serbe.