Pse inteligjenca amerikane nuk beson te suksesi i ofensivës së Ukrainës

Nga Philip Fabian, BILD

Një analizë shpërthyese dhe e hidhur nga shërbimet sekrete amerikane!

 Sipas një raportimi të ‘Washington Post’, ata besojnë se kundërofensiva e Ukrainës do të dështojë. Konkretisht, ata parashikojnë se ushtria ukrainase nuk do të arrijë dot as në qytetin e rëndësishëm të Melitopolit në juglindje.

Qyteti është i një rëndësie vendimtare: konsiderohet si porta për në Krime dhe është një qendër e rëndësishme transporti për rrugët e furnizimit të ushtrisë ruse mes gadishullit dhe zonave të tjera të pushtuara ilegalisht në Ukrainën lindore.

Me fjalë të tjera, nëse ky parashikim rezulton i saktë, do të thotë se Kievi e ka humbur qartësisht qëllimin kryesor për të shkëputur urën tokësore të Rusisë me Krimenë.

Situata aktuale është e tillë: Forcat e armatosura të Ukrainës po shtyjnë drejt Melitopolit nga qyteti Robotyne, më shumë se 80 kilometra larg. Por ata do të qëndrojnë disa kilometra larg qytetit, thanë zyrtarët amerikanë për ‘Washington Post’ në kushte anonimiteti.

Arsyeja e këtij vlerësimi të zymtë: Aftësia brutale e Rusisë për të mbrojtur territoret e pushtuara me një falangë fushash të minuara dhe llogoresh, shkruan ‘Washington Post’, duke cituar njerëz që e njohin procesin.

A po përdor Ukraina strategjinë e gabuar?

Pritshmëritë për kundërsulmin e nisur që në qershor janë shumë të larta: Shpresa ishte se do të përsëritej suksesi dërrmues i përparimit të vjeshtës së kaluar në rajonin e Kharkivit.

Por në javën e parë të luftimeve, Ukraina pësoi viktima të shumta kundër mbrojtjes së përgatitur mirë të Rusisë- pavarësisht armatimeve perëndimore, përdorimit të tankeve amerikane e gjermane dhe automjeteve speciale të çminimit.

Forcat amerikane, britanike dhe ukrainase i kishin marrë parasysh humbje të tilla. Por ata supozonin se Kievi do i pranonte humbjet si një kosto e thyerjes së vijës kryesore të mbrojtjes së Rusisë, thanë zyrtarët amerikanë dhe perëndimorë.

Megjithatë, burimet i thanë ‘Washington Post’ se Ukraina vendosi të kufizojë viktimat në fushën e betejës dhe të kalojë në një taktikë të mbështetjes në njësi më të vogla për të përparuar në zona të ndryshme të vijës së frontit. Kjo bëri që Ukraina të realizonte disa suksese në rritje gjatë verës.

Kush do e mbajë fajin për dështimin?

Ka të ngjarë që të ketë shumë akuza të ndërsjella mes Kievit dhe kryeqyteteve perëndimore: Pse një sulm i tillë, i mbështetur nga armë perëndimore me vlerë miliarda dollarë, është kaq larg synimeve të tij?

Telashe do ketë edhe brenda vendeve perëndimore. Perspektivat e zymta të përbashkëta të republikanëve dhe demokratëve në SHBA kanë ndezur një lojë fajësimi pas dyerve të mbyllura.

Disa republikanë po hezitojnë që të pranojnë kërkesën e presidentit Biden për një ndihmë shtesë prej 20.6 miliardë dollarësh në Ukrainë, duke pasur parasysh rezultatet modeste të ofensivës. Të tjerë republikanë, edhe pse në një masë më të vogël, kanë akuzuar qeverinë se nuk dërgon më shpejt armë më të fuqishme në Ukrainë.

Sidoqoftë, zyrtarët amerikanë të intervistuar nga ‘Washington Post’ hodhën poshtë kritikat se avionët luftarakë F-16 apo sistemet e raketave me rreze të gjatë si ATACMS, do kishin sjellë një rezultat tjetër. “Problemi vazhdon të përshkojë linjën kryesore të mbrojtjes së Rusisë dhe nuk ka asnjë provë se këto sisteme do të ishin një ilaç,” tha një zyrtar i lartë qeveritar.

© SYRI.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme