Shkruan: Fejzi Hajdari
Të gjithë pyesin në mënyrë të habitshme se si po qëndron BDI-ja (lexo: Ali Ahmeti) kaq gjatë në pushtet, por, rrallëkush është marrë me një qasje analitike, të mirë sintetizuar e detajuar. Duke mos marrë për bazë analize edhe aspektet tjera, si për shembull faktin se partive maqedonase LSDM-VMRO, do t’i duhej (shërbente) një subjekt politik shqiptar joshumë efikas, i dëgjushëm dhe i shantazhushëm, për të mos realizuar (ose zvarritur me dekada e vite) kërkesat fundamentale kombëtare shqiptare që datojnë që nga viti 1991, atëherë kur u aplikua sistemi shumëpartiak – demokratik në Maqedoni. Ata pak individë, gazetarë, publicistë e ekspertë fushash, që filluan të merren me këtë, BDI-ja arriti të gjejë mënyra, për t’i heshtur.
Një të tillë formë, të cilën dikur e përdorte suksesshëm kreu ‘pëdëshëistë’ Menduh Thaçi, duke dërguar njerëz në partitë e sapoformuar, të cilët pak para zgjedhjeve, braktisnin partinë e sapofrmuar duke u kthyer prapë te ‘matrica’ e PDSH’së, si duket Ali Ahmeti e ka përdorur mjaftë suksesshëm, sidomos këto muajt e fundit, kur ai filloi ta nuhas rrezikun, pak nga skandalet e njëpasnjëshme dhe më nga bashkimi i atij që sot quhet Front opozitar.
Rrezik i parë për Ali Ahmetin dhe krahun e tij të djathtë Artan Grubin, ishte momenti kur në skenën politike të këtushme u shfaq i ashtuquajturi “Grupi i zjarrit” i cili më pastaj u bashkua edhe me partitë tjera opozitare, dhe sidomos ardhja e kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurit për vizitë në Maqedoninë e Veriut, i cili anashkaloi takim me lidershipin e BDI’së Ali Ahmetin. Kjo vizitë bëri aq bujë, saqë reagimet s’kanë të ndaluar as sot, sidomos në Beograd, Prishtinë, Tiranë, Athinë, por edhe në Sofje. Efekti nga kjo vizitë bëri që i ashtuquaajturi Front Opozitar (Besa-Lëvizja Demokratike-Alternativa), të ndjehet i privilegjuar dhe më i avancuar me këtë rast, kundrejt partive shqiptare në pushtet.
Pikërisht frika nga këto rrethana të reja politike, jo shumë të favorshme për BDI-në, bëri që Ahmeti për të satën herë ta shfrytëzojë “strategjinë Thaçiste”! Në fakt, Ahmeti këtë strategji të menaxhimit e kontrollit të opozitës dhe partive tjera të formuar dhe asporofmuar, sipas të gjitha gjasave po e luan (e do ta luaj) nëpërmjet 3 shtyllave:
– Ikjes (arratisjes) së anëtarëve partiakë nga partitë e caktuara opozitare dhe bashkangjitjes eventuale te blloku qeveritar shqiptarë;
– Kontrollin e një segmenti të caktuar të anëtarësisë “partizane”, nëpërmjet “biznesit” me kazinotë dhe korrupsionin, si dhe me:
– Shefin e Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit Islam Abazin, i cili do të mund të përdorte principin e “shkopit dhe karrotës” në raport me të padëgjueshmit ose ‘rrebelëve të opozitës”, që kanë dëshmuar se mund t’i sjellin shumë sikletë dhe situata të vështira Ali Ahmetit.
Si funksionon ‘strategjia thaçiste’ të cilën Ahmeti e përdor suksesshëm!?
Se si funksionon Ali Ahmeti nëpërmjet zbatimit të kësaj strategjie, flasin edhe vajtje-ardhjet ose më mirë thënë arratisjet e anëtarëve nga një partie tek tjetra, gjë e cila dalngadalë, por sigurtë, po formon shumë natyrshëm dy blloqe politike.
Aleanca për Shqiptarët është pjesë e qeverisë Kovacevski, por flitet me të madhe se ka vlime brenda kësaj partie, që me gjasë s’do të kalojnë pa ndonjë tërmet brendapartiak.
Menduh Thaçi me partinë e tij PDSH-në, do të qëndroj në anën e bllokun e qeverisë, sikurse deri tani.
Ali Ahmeti si duket e ka luajtur mirë ‘strategjinë thaçiste’ brenda Lëvizjes Besa dhe ish-Grupit të zjarrit, sepse në rrethanat e reja të krijuar ai kishte nuhatur rrezik, prandaj ftoi njerëzit e tij të organizojnë kalimet nga dy partitë opozitare, tek Blloku pozitar në krye me BDI-në. Fillimisht Arianit Hoxha me disa aktivistë të deridjeshëm në Lëvizjen Besa, kësaj të fundit ia kthyen shpinën, me siguri që më vonë t’i bashkohen Bllokut pozitar shqiptar, me në krye Ali Ahmetin. Thuhet se një meritë të madhe për këtë tronditje brenda Lëvizjes Besa, e ka Musa Xhaferi, i cili ka mbajtur linkun deri në momentin e dhënë. Xhaferi link me Ahmetin ka mbajtur edhe për të gjitha zhvilimet në Grupin e Zjarrit. Si duket Ahmeti, Musa Xhaferin e ka patur të “specializuar” për këtë punë.
Të njëjtën taktikë si duket Ahmeti e Grubi, po e zbatojnë edhe me partinë Alternativa, ku një grup të pakënaqurish në krye me Zejd Rexhepin, që në prapaskenë pritet ta ketë edhe mbështetjen e Adnan Ismailit, pritet së shpejti ose t’i bashkohet pozitarëve të Ahmetit apo eventualisht në zgjedhjet e ardhshme të garojnë në koalicion parazgjedhor. Ndërsa pikërisht “strategjia thaçiste” tek Grupi i Zjarrit, përshpejtoi formimin e Lëvizjes Demokratike dhe me këtë situat Ahmeti dhe Xhaferit i doli jashtë kontrolli.
Pra, të gjitha këto rebelime partiake (ndarje, përcarje e përplasje), janë skenar i mirëpërgatitur nga dyshi Ahmeti-Grubi plus Xhaferi nga prapaskena, e që kanë vetëm një qëllim: fuqizimin e BDI-së në këto rrethana të disfavorshme për Ahmetin, si dhe dobësimin eventual të atij që sot quhet Front opozitar (Lëvizja Demokratik-Besa-Alternativa). Nëse zhvillimet e këtilla politike kanë ndikuar dhe sa kanë ndikuar negativisht ose pozitivisht, për Bllokun opozitar ose Bllokun pozitar, flasin reagimet histerike dhe të çorodituar rreth vizitës së Albin Kurtit në Shkup e Tetovë.
Deri para rreth një muaji ose dy, Ahmeti ndihej shumë komod në kontrollimin e situatës politike në terren, por edhe në opozitë. Deklarimi publik i tre partive (Besa-Lëvizja Demokratike-Alternativa) se po bashkohen në një Front opozitar dhe sidomos ardhja për vizitë e zotit Kurti, bëri që Ahmeti përnjëherë t’i aktivizojë mekanizmat dhe elementet rezervë në të gjitha partitë shqiptare ku kishte mundësi. Vlerësime janë se pikërisht vajtje-ardhjet e anëtarësisë dhe formimi i partive të reja të vogla, avash-avash po e PROFILIZON SKENËN POLITIKE SHQIPTARE NË DY BLLOQE, atë me Ali Ahmetin në krye dhe lloku tjetër Gashi-Mexhiti-Kasami. Ju kujtohet se Ali Ahmeti gjithmonë deklaronte: SHQIPTARËVE NUK I DUHEN MË SHUMË SE DY PARTI POLITIKE. Ja pra, sot i ka dy blloqe politike, ashtu sic kishte dëshiruar dhe planifikuar gjithmonë! U tha, u bë!
Cilat janë mekanizmat tjerë nëpërmjet të cilëve Ahmeti e kontrollon situatën politike?
Partia opozitare VMRO-DPMNE, në disa paraqitje rrebesh nëpërmjet Kumtesave partiake dhe paraqitjeve publike të zyrtarëve të lartë, e ka akuzuar Artan Grubin dhe Ali Ahmetin se i kontollojnë kazinotë dhe se janë të korruptuar skajshmërishtë. Në këtë kontekst u përmend Qendra tregtare “Soravia`’, pastaj “Korridori 8” me kontratën e fshehtë etj. Menaxhimi i këtyre “biznesve” sipas analistëve dhe partive opozitare, BDI’së i mundëson edhe kontrollimin të një pjese të mirë të anëtarëve dhe “partizanëve partikakë”. Njerëz të besueshëm të partisë në këtë mënyrë shpërblehen dhe stimulohen…
Më pastaj në këtë kontekst, një rol të madh “produktiv” në betejën me Frontin opozitar, mund ta luaj edhe shefi i Prokurorisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit Islam Abazi, i cili nga pozita e lartë që e ka, mund të kërkoj “sebepe” për t’i disiplinuar të padëgjueshmit, të pabindurit dhe sidomos njerëz ose liderë të Fronti opozitar ose individë të caktuar që janë pjesë e Frontit opozitar.
Sidoqoftë shfrytëzimi i të gjitha mekanizmave institucional dhe jashtëinstitucional, si dhe lojërave të dukshme e të padukshme, po tregojnë se Blloku pozitar në krye me Ali Ahmetin, është në gjendje t’i përdorë të gjitha format e metodat në betejën e sapofilluar ndaj opozitës, edhe pse sot rrethanat politike shumë kanë ndryshuar, në krahasim me ciklet e mëparshme zgjedhore./sakte,net