Gazetare: Fatlume Dervishi
Vizita dyditore e cilësuar si në kuadër të ofensivës diplomatike për ndryshimet kushtetuese, e zëvendës-ndihmës sekretarit amerikan të shtetit Gabriel Eskobar filloi sot me takim me Presidentin Stevo Pendarovski. Kjo vizitë e Eskobar është pikërisht në periudhën kur procedura e ndryshimeve kushtetuese është në Kuvend, dhe kur për miratimin e nevojës së saj nevojiten 80 vota.
“Uashingtoni zyrtar shprehu pritjen se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian. Presidenti Pendarovski theksoi rëndësinë e mbështetjes që Shtetet e Bashkuara ofrojnë për arritjen e qëllimeve strategjike të vendit tonë. Në këtë drejtim, në takim u diskutua për hapat e ardhshëm që duhet të ndërmarrë Maqedonia e Veriut për të përparuar në procesin e integrimit në BE”, thonë nga Kabineti i Presidentit Pendarovski.
Eskobar sot nuk është prononcuar por një konferencë të përbashkët për media pritet të mbajë nesër me kryeministrin Dimitar Kovaçevski. Ai nesër do të takojë edhe kreun e opozitës Hristijan Mickoski.
Departamenti amerikan i shtetit më herët gjatë ditës ka deklaruar se zëvendës-ndihmës sekretari Gabriel Eskobar shpreson në diskutime produktive me përfaqësuesit politik në vend.
“Eskobar udhëton në Maqedoninë e Veriut për të diskutuar çështje dypalëshe dhe rajonale dhe për të vazhduar të forcojë partneritetin tonë me një aleat të vlerësuar të NATO-s. Ai pret me padurim diskutime produktive dhe të përbashkëta me udhëheqësit e qeverisë gjatë vizitës së tij, veçanërisht lidhur me integrimin e ardhshëm në BE dhe prosperitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor”, thuhet nga Departamenti i Shtetit.
Ndryshimet kushtetuese për momentin është e sigurt se gëzojnë mbështetjen e vetëm 70 deputetëve.