Zyrtari amerikan Gabriell Eskobar përsëriti edhe një herë qëndrimin se në Maqedoni nuk ka ardhur për t’i treguar liderit të opozitës se çfarë duhet të bëjë apo ta kushtëzojë, por për t’i bërë të qartë se SHBA-të për partnerë në Ballkan i zgjedhin ata të cilët e afrojnë rajonin më afër Evropës. Eskobar në një intervistë për 360 shkallë tha se nga njerëzit nuk kërkon që ta mbështesin Qeverinë, por ta mbështesin rrugën evropiane.
“Dua të filloj me atë që do të them se nuk erdha këtu që t’iu them njerëzve se si të votojnë. Nuk erdha këtu që t’ju tregoj njerëzve se si ta bëjnë Qeverinë. Këtë nuk ua bëjmë aleatëve tanë të NATO-s. Atë që e bëjmë është vendosja e pritjeve. Nga njëra anë ia përcolla nivelin e njëjtë të entuziazmit që dua tua përcjell edhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, e ajo është se ardhmëria e Evropës Jugore është në Bashkimin Europian. Ajo është ardhmëria e cila ky rajon do të kontribuojë në rritjen e Evropës dhe me këtë do të kontribuojë edhe në ekonominë tonë. Në këtë drejtim ka mundësi të mëdha për Maqedoninë e Veriut që të bashkëngjitet drejt BE-së. Bëhet fjalë për bllokun më të madh tregtar në botë dhe partnerin më të madh tregtar të Amerikës. Katër miliard dollarë në ditë e kalojnë Oqeanin Atlantik dhe ne duam që ju të jeni pjesë e saj. Ky është ai entuziazëm, për kontributin që Maqedonia e Veriut mund ta japë në BE, që desha ta përcjell në të gjitha takimet e mia. Lidhur me liderin e opozitës, ajo që gjithashtu dua ta shtoj është se nuk kam ardhur këtu që t’i tregoj se çfarë të bëj dhe nuk erdha këtu që t’i diktoj kushte. Por, desha t’i bëj të qartë se SHBA-të i zgjedhin për partner në Ballkan ata që e afrojnë rajonin më afër BE-së, ata të cilët e tregojnë përkushtimin e tyre në NATO dhe ata të cilët e vazhdojnë luftën kundër korrupsionit. Këto janë pritjet tona. Ajo që po ndodh tani, me mundësitë e prezantuara, të lëvizë statusi kandidat i Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, është pjesë e atij procesi. Unë nuk kërkoj nga njerëzit që ta mbështesin Qeverinë. Nga njerëzit kërkoj, ju lutem, punoni me ne, që ta mbështesim rrugën evropiane”, deklaroi Gabriel Eskobar, i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Eskobar tha se i beson ministres së jashtme Bullgare Marija Gabriell e cila në një forum në Dubrovnik i ka thënë se nëse Maqedonia e Veriut e plotëson atë që është e paraparë në marrëveshje, nuk do të ketë kushte të reja.
“E hapëm atë temë, unë personalisht e hapa me ministren e jashtme të Bullgarisë në forumin në Dubrovnik. Ajo më siguroi se nëse Maqedonia e Veriut e plotëson atë që është paraparë në marrëveshjen e tashme nuk do të ketë kushte të reja. Unë e konsideroj atë si përkushtim të saj personal dhe përkushtim në emër të Qeverisë së saj. Dhe ky është plani ynë. Mendoj se pas kësaj, ajo që do ta përcaktojë procesin qasës, nuk do të jenë çështjet bilaterale, por mbyllja e kapitujve dhe afrimi i ekonomisë suaj me atë më të madhe në botë”, shtoi Gabriel Eskobar, i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Eskobar përsëriti edhe një herë se administrata e presidentit Bajden është fokusuar në luftimin e korrupsionit duke shtuar se listës së zezë amerikane do t’i shtohen edhe emra të tjerë. /Alsat.mk