Nga Kim Mehmeti
Kryeministri i Shqipërisë jo njëherë deri më tani e ka kritikuar Sofjen zyrtare për qëndrimin e saj ndaj Maqedonisë dhe popullit maqedonas. Gjë që mund t’i habit vetëm ata që ende nuk e kanë kuptuar se për nga pikëpamjet dhe bindjet politike, ai është ‘serbë’ i përbetuar dhe andaj gjithë botën rreth vetes e sheh me ‘sytë’ e Beogradit zyrtarë.
Sikur të mos ishte i tillë, ai prej moti do e kuptonte se problemi i Maqedonisë shkon përtej mosmarrëveshjeve historike me Bullgarinë: se edhe të sotmen e saj ajo e ndërton mbi ‘mendësinë’ serbe, mbi parimin e armiqve të natyrshëm të popullit maqedonas – shqiptarët e bullgarët dhe ‘vëllezërve’ e mbrojtësve të natyrshëm të këtij populli – serbët!
Pra sikur kryeministri i sotëm i Shqipërisë të mos ishte i verbëruar nga dashuria ndaj vëllezërve të tij serb, ai prej moti do e kuptonte se shqiptarët nuk kanë pse e rrënojnë miqësinë e përhershme me popullin bullgar duke e ‘ndihmuar’ popullin maqedonas, duke e përkrahur popullin i cili në shumicë, edhe sot e kësaj dite, boshtin e vet kurrizor etnik e forcon nëpërmjet parullave ‘Vdekje shqiptarëve’ dhe ‘Vetëm shqiptari i vdekur është shqiptarë i mirë!’
Por sidoqoftë, duhet thënës se sulmet e Kryeministrit të Shqipërisë ndaj Sofjes zyrtare shpjegojnë diçka përtej verbërisë së tij politike, e që ka të bëjë me të vërtetën se për Tiranën zyrtare, shumëçka politikisht ka mbetur aty ku e kanë lënë emisarët e dikurshëm të Titos të dërguar në Tiranë: se në këto hapësira ka vetëm një qendër me ndikim rajonal – Beogradi.
Po pra, qëndrimet e Kryeministrit të Shqipërisë ndaj Bullgarisë dhe mbrojtja e tij perverse e interesave maqedonase vetëm e shpërfaqin të vërtetën se dhe sot e kësaj dite Shqipërinë e drejtojnë ata që nuk janë çliruar nga të vërtetat serbe, se atë e kanë në duar edhe burrështetas të cilëve u ndodhë që edhe interesat e popullit të vet t’i shohin me syrin e mendësisë serbe. (Kim Mehmeti)/sakte.net