Nga Kim Mehmeti
Lexova diku se Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paska thënë se ‘më parë e vras Albin Kurtin sesa që ia lëshoj rrugën e iki nga Kosova dhe se, Kosovën nuk duhet e as që guxojnë ta lëshojnë ata që kanë luftuar për të’,
Kosovën nuk do duhej ta braktiste askush, por ajo sa më pare duhet të ‘pastrohet’ nga mendësia e disa ‘çlirimtarëve’ të saj, e të cilët atë dhe lirin e saj e konsiderojnë si pronë të tyre.
Dhe Kosova duhet ta dëbojë nga trojet e veta mendësinë politike se më lehtë e ke ta vrasësh se sa të përballesh me kundërshtarin politik. Si dhe heshtjen e politikanëve të cilëve siç duket u pëlqen kjo mendësi.
Kosova duhet të bëjë çmos që ta kthejë më të vlefshmen që ia dha Perëndimit – rininë e saj. Me çka ajo do e kthejë edhe zërin më të guximshëm që do mund t’i kundërshtojë disa ‘çlirimtarë’ që asaj ia sollën robërinë!
Kosovën sot askush nuk e rrezikon më shumë se ata që e kanë shijuar grazhdin e pushtetit dhe që jo vetëm harxhimet për të sotmen e tyre, por siç duket, Kosovës ia kanë faturuar edhe shtëpitë dhe dasmat për nipat e stërnipat e vet.
Kosovës duhet t’i jepet mundësia ta rimerr veten e t’i rikthehet ëndrrës për shtetin që e donim: të mirë për të gjithë, e jo ferr për banorët e parajsë për një grushte politikanësh e ‘çlirimtarësh’ që e kanë nxjerr në shitje edhe lirinë saj.
Dhe ku ta dish, mbase deklarata e kreut të Organizatave të Veteranëve të UÇK-së më së miri tregon se ne shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës u çliruam nga armiku, por jo edhe nga disa ‘çlirimtarë’ tanë që sillen si mercenarë, nuk u çliruam nga ata që edhe kokat e kundërshtarëve politik i konsiderojnë si plaçkë lufte! (Kim Mehmeti)/sakte.net