Nga Kim Mehmeti
Ne e trajtojmë si shtet – si për shembull Maqedoninë e Veriut – një shoqëri ku funksionarët e mjekët i vjedhin dhe i rishesin ilaçet e fëmijëve dhe ku politikanët përfitojnë edhe nga vdekja jonë.
Ne flasim për shtet aty ku edhe lumi Treska ka ‘pronar’, i cili pronar atë e thurë me mure, që ta ‘mbrojë’ nga të huajt dhe vendasit që e vizitojnë Grykën e Matkës.
Ne flasim për shtet – si për shembull për Maqedoninë e Veriut – aty ku kryetari i komunës të lejon pa ‘leje’ t’i shtosh edhe dy kate të pallatit, e që pastaj, ato t’i legalizosh me nga një euro metrin katrorë, por vetëm nëse njëri kat do i takojë kryekomunarit!
Ne flasim për shtet aty ku çdo i pacipë mund ta përvetësoj pronën publike dhe ku lumenjtë e livadhet janë bërë kazanë për mbeturina.
Dhe ne e trajtomë si shtet Maqedoninë e Veriut, këtë vend që kurrë nuk ka qenë dhe mbase kurrë nuk do bëhet shtet, sepse ne nuk kemi si ta dimë se si duket shteti i vërtet, ngaqë kurrë nuk kemi jetuar në një të tillë.
Pra ka tri dekada me radhë që e trajtojmë si shtet këtë Maqedoni të Veriut, ecila në të vërtet nuk është asgjë më shumë se grazhd për hajnat, nga e cila është shpërngulur jo vetëm rinia, por edhe ndershmëria dhe përgjegjësia.
Po pra, tri dekada me radhë ne jetojmë në një vend që i ngjanë ‘lopës’ pa pronar, lopës të cilën e ushqen dhe e kullotë populli, por e mjelin politikanët hajdutë. (Kim Mehmeti)/sakte.net