Familjarët e viktimave nga zjarri në Spitalin Modular në Tetovë, të premten do të protestojnë për të kërkuar drejtësi për jetët e humbura. Ata sot dorëzuan njoftimin në Policinë e Tetovës, ndërsa kërkuan përkrahje nga gjithë banorët e Tetovës. Protesta do të fillojë nga vendi ku u dogj spitali modular në 8 shtator të vitit 2021, ndërsa do të vazhdojë deri në sheshin Iliria të Tetovës. Njëri nga organizatorët tha se besimi në drejtësinë është shumë i vogël, por vullneti i tyre për të luftuar për familjarët e tyre është i madh, andaj dhe paralajmëruan protesta të vazhdueshme, deri në zbardhjen e plotë të rastit. Organizatorët kërkuan që protesta të mos keqpërdoret për pikë politike pasi qëllimi është sjellja e drejtësisë në vendin tonë.
“Ftoj të gjithë qytetarët që të na bashkëngjiten protestën që do të mbahet të premten nga ora 14:00. Protesta do filloj nga hapësira e spitalit modular. Këtë shprehje të mllefit tonë nuk duam askush ta shfrytëzohet nga asnjë subjekt politik apo për përfitime politike. Pra edhe njëherë ftojmë krejt banorët e Tetovës që të na bashkohen në protestat që organizojmë ne si familjarë, pa prapavija politike, pra nuk duam politika të përfshihet këtu. Pas kësaj ne si familjarë ndjehemi sikur me na vra edhe neve, sepse drejtësi këtu nuk ka. E kemi cek gjithë familjarë ne që s`ka drejtësi këtu, sepse ka përgjegjësi dikush më lartë në shtet por e kanë fshehur”, tha Mumin Ismaili familjar. /Alsat.mk