Zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi ka thënë se dialogu duhet të fokusohet në dy shtylla kryesore, konkretisht zbatimin e marrëveshjes bazë dhe bisedimet për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.
Bislimi këto komente i bëri në një intervistë për Danas, intervistë kjo e dërguar mediave nga Zyra për media e kryeministrisë, ndërkaq ka thënë se presin largimin e masave nga BE-ja ndaj Kosovës para takimit të 14 shtatorit për të siguruar barazinë e palëve.
“Kosova mbështeti marrëveshjen bazë dhe ofroi nënshkrimin e saj. Pala tjetër refuzoi nënshkrimin dhe po rikonfirmon çdo ditë qëndrimin se nuk e ka pranuar planin, por edhe po punon shumë për shkeljen e dispozitave të tij.
Strategjia më e mirë për të penguar haptazi zbatimin e saj është përmes përshkallëzimit dhe Serbia është shumë e suksesshme në këtë. Serbia jo vetëm që e ka ridrejtuar dialogun e Brukselit nga normalizimi në menaxhimin e krizës, por ka arritur gjithashtu të promovojë BE-në nga një lehtësues në një negociator.
Deklarata e BE-së e 3 qershorit, së bashku me masat e vendosura më pas e konfirmojnë këtë. Megjithatë, në më pak se dy javë do të ketë një takim të ri të nivelit të lartë dhe pritet që BE-ja të sigurojë barazinë e palëve në dialog duke hequr masat ndëshkuese para këtij takimi”, tha Bislimi.
Ai më tej shtoi se dëshirojnë që situata në veri të Kosovës të jetë më e mirë, por të paktën nuk ka tensione.
“..Kosova është shtet multietnik, në këtë drejtim, synimi ynë është të sigurojmë që anëtarët e komunitetit të integrohen institucionalisht. Ne jemi të vetëdijshëm se mungesa e policëve serbë nuk ngjall besim të mjaftueshëm dhe po bëjmë maksimumin për ta ndryshuar këtë, por kjo nuk mund të bëhet pa parandalimin e presionit dhe frikësimit të vazhdueshëm të Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës të cilët vendosin t’i bashkohen Policisë së Kosovës”, tha ai.
I dyti i qeverisë ka folur edhe për çështjen e ndalimit të mallrave serbe.
“Nuk ka barriera tregtare për mallrat e prodhuara në Serbi, por ka disa barriera që aplikohen për produktet kosovare që tentojnë të hyjnë në tregjet brenda territorit të Serbisë. Dhe këto barriera ekzistojnë për gati dy dekada.
Vendimi aktual është vetëm çështje sigurie, duke pasur parasysh dëshmitë e kontrabandimit të armëve në Kosovë, duke përdorur linjat e rregullta dhe kamionët për transportin e mallrave. Një ndërhyrje e tillë në çështjet e brendshme të Kosovës në sektorin e sigurisë është shkelje e rëndë jo vetëm e Marrëveshjes Bazike më të fundit (sipas së cilës Serbia ka pranuar të vendosë marrëdhënie normale e të fqinjësisë së mirë me Kosovën), por edhe të marrëveshjeve të tjera.
Ne duhet të sigurohemi që Serbia të heqë dorë nga pretendimet territoriale dhe metodat hibride të kryengritjes për të mos nxitur tensione në veri. Në këtë drejtim, kontrolli më i mirë i qarkullimit të mallrave është pjesë e masave të sigurisë që duhet të ndërmerren. Duke pasur parasysh hapjen e ekonomisë sonë dhe praninë e shumë vendeve alternative të origjinës për importe, kjo masë as nuk mund të sjellë dëm për qytetarët dhe as të çojë në mungesë mallrash. Situata në të gjitha komunat tjera në Kosovë është dëshmia më e mirë për këtë”, tha ai.
Bislimi ka thënë po ashtu se në Luginën e Preshevës, shqiptarët janë të diskriminuar institucionalisht dhe gëzojnë shumë më pak të drejta se serbët e Kosovës në Kosovë.