Programi 200 fillon sot sezonin e ri në ora 18:00. Programi këtë sezon do tentojë, ashtu si çdo herë, ti bëjë një prerje shoqërisë, por edhe do të evidentojë atë që të gjithë e themi: rikthimi te vlerat e të mirave të përbashkëta, të cilat po harrohen e si rrjedhojë në diskurs publik kemi një debat ose vulgar ose tejet elitist, po që po lë njerëzit pa përgjigje.
Progrqmi do të merret me përditshmërinë, problemet e fenomenet por do të dominojnë dy pyetje këtë sezon: Për çfarë janë krenarë që kanë bërë deri më tani dhe për çfarë do duan të mbahen mend, gjithë ata që lënë gjurmë në jetën publike?
Programi do të sjellë individë e rrëfime me të vetmin qëllim këtë sezon për të përforcuar idenë se ajo që do mbesë nga veprimet e secilit që ka një angazhim publik është puna e tyre në fushat ku veprojnë, e jo kjo dyndje e tmerrshme ndaj pasurimit me çdo kusht.
Rashidi thotë se “ky rrugëtim televiziv vjen në një kohë ku pangopësia ka arritur kulmin e ku korrupsioni e grabitja e madhe, jo vetëm që merr paratë tona, por ka marrë jetë njerëzish, në mënyrën më të tmerrshme siç akuzohet duke i djegur ato apo siç po akuzohet gjithashtu, duke ua marrë edhe ilaçet të sëmurëve me kancer për përfitim marramendës.
Politika shfaqet në kulmin e saj si e papërgjegjshme dhe ku me qindra e dhjetëra vetë duan të ikin, e shumë të tjerë kanë ikur nga ky vend”. I ftuari i parë është gazetari Enver Robelli, i cili punon në gazetën më të madhe të Zvicrës. Ai flet për librin e tij të fundit por edhe për zhvillimet shqiptare e ndërkombëtare.
Na ndiqni, këtë sezon, çdo të diele në ora 18:00 në TV Alsat dhe LIVE në FACEBOOK Alsat.mk. / Alsat.mk