Gazetar: Adrian Kerimi
Komisioni për luftë kundër korrupsionit konstaton, financimet në BDI janë në kundërshtim me ligjin. BDI ka pranuar më shumë donacion nga limiti ligjor dhe të njëjtin nuk e ka kthyer në afatin e paraparë më ligj, shkruan Alsat.
Antikorrupsioni njofton se donacioni i kompanisë së Elmedin Ademit “Eurovia” ka qenë dyfish më i lartë, ndërsa teprica është kthyer vetëm një muaj para se “Eurovia” si donatore e BDI-së të fiton tender me vlerë prej 1.8 milion euro për adaptimin e sallës “Boris Trajkovski” për samitin e OSBE-së.
Lënda do t’i dorëzohet Entit Shtetëror të Revizionit dhe Ministrisë së Drejtësisë për t’u shqyrtuar shkelja e Ligjit për financimin e partive politike.
“Ne konstatuam se fondet e lëshuara janë kthyer, por nuk janë kthyer sipas ligjit i cili përcakton se fondet jashtë limitit ligjor duhet të kthehen menjëherë ose më së voni në afat prej 15 ditëve. Me këtë kemi konstatuar se është shkel neni 16 i Ligjit për financimin e partive politike”, tha Shemshi Sallai, Anëtar i Anti-Korrupsionit.
Zëvendëskryeministrja për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska në vend që të dënon aktin se si një kompani e cila është donatore e një subjekti politik fiton tender me vlerë gati 2 milion euro, e njëjta vlerëson se duhet ndryshuar ligji dhe kriteret për tender publik.
“Kriteri i paraparë me ligj i cili përcakton se oferta më e ultë është oferta më e mirë nuk është opsioni më i mirë për të zgjedhur ofertën më të mirë. Duhet të mendohet se cilat do të jenë kriteret më të mira mbi të cilat do të fiton një tender ai i cili ofron ofertën më të mirë për institucionet dhe qytetarët”, u shpreh Sllavica Gërkovska, Zëvendëskryeministre për qeverisje të mirë.
Pas publikimit të skandalit, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha se ishte njoftuar nga mediat se kompania fituese është donatore e BDI-së, ndërsa kryeministri Dimitar Kovaçevski kishte deklaruar se sipas informacioneve që ai posedon, në tenderimin për Samitin e OSBE-së nuk ka shkelje ligjore.
Njëherësh “Eurovia” e Elmedin Ademit përbën kompaninë më të madhe e cila është në regjistrin e donacioneve të BDI-së. / Alsat.mk