Dorëheqje nga komunat, “vetëm në marrëveshje me Qeverinë”

Mundësinë e dorëheqjes, si mënyrë për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës, janë të gatshëm ta shqyrtojnë kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, dhe kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.

Kryetarët e dy komunave tjera në këtë zonë të banuar me shumicë serbe, Erden Atiq i Mitrovicës së Veriut dhe Lulzim Hetemi i Leposaviqit, nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse ata do të jepnin dorëheqje dhe në çfarë rrethanash.

REL-i i kontaktoi ata pas komenteve të të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për Zërin e Amerikës, se “rruga më e shpejtë dhe më e lehtë për zgjedhjet e reja” do të ishte “nëse kryetarët e tanishëm shqiptarë japin dorëheqje”.

Pas kërkesës së BE-së, Qeveria e Kosovës ka shprehur gatishmëri për organizimin e zgjedhjeve të reja në veri, me qëllim të shtensionimit të situatës atje.

Tensionet në zonë janë rritur qysh në fund të majit, kur kryetarët shqiptarë të komunave kanë hyrë në zyrat e tyre, me gjithë kundërshtimet e popullatës lokale serbe.

Këta kryetarë kanë dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit, të cilat komuniteti serb i ka bojkotuar.

Qeveria e Kosovës ka nxjerrë tashmë një udhëzim administrativ, për të cilin ka thënë se u hap rrugë zgjedhjeve të reja, por, sipas njohësve të çështjeve juridike, dokumenti mund të hasë në pengesa kushtetuese.

“Zgjedhjet – rrugë më e shpejtë”

Zeqiri i Zubin Potokut dhe Peci i Zveçanit – të dy nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë – thonë se janë të gatshëm t’i shqyrtojnë dorëheqjet vetëm në marrëveshje me Qeverinë dhe Presidencën e Kosovës.

“Nëse Kosova po sanksionohet për shkak të kësaj administrate në veri, unë jam i hapur për t’i biseduar të gjitha opsionet, por zgjidhja është me dakordim. Nëse ka marrëveshje të të gjithë kryetarëve, Qeverisë dhe partive për dorëheqje, kjo mund të ndodhë dhe është një rrugë më e shpejtë”, thotë Zeqiri për Radion Evropa e Lirë.

Sipas tij, çështja e dorëheqjeve nuk është diskutuar ende me aktorët qeveritarë.

Nëse ndodhin, Peci thotë se dorëheqjet do të duhej të vinin nga të katër kryetarët e komunave në veri.

“Nuk çon peshë vetëm njëri të japë dorëheqje e tre të mbesin”, thotë ai.

“Për hir të qytetarëve, për hir të shtetit do të arrinim një mirëkuptim, por të shohim … deri tani nuk kemi pasur asnjë ftesë zyrtare për të dhënë dorëheqje apo ndonjë takim”, thotë Peci për Radion Evropa e Lirë.

REL-i kontaktoi Qeverinë e Kosovës dhe Presidencën e Kosovës për t’i pyetur nëse janë duke shqyrtuar ndonjë takim me kryetarët e komunave në veri, por, deri në publikimin e këtij artikulli, dy institucionet nuk u përgjigjën.

Më herët, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se Qeveria, e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk do të kërkojë dorëheqje nga kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut dhe Leposaviqit, që vijnë nga kjo parti. Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, ka thënë më 13 shtator se dorëheqjet janë “kërkesë vetëm e Beogradit”.

Kërkesës së REL-it për komente nuk iu përgjigj as Lëvizja Vetëvendosje.

Zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu, tha se “zgjedhjet në veri tashmë janë bërë të nevojshme dhe të domosdoshme”. Por, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai tha se Qeveria e Kosovës “nuk shquhet aspak për koordinim”.

“Duhet marrëveshje e gjerë”

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se dorëheqjet e kryetarëve të katër komunave në veri do të duhej të vinin si refleksion i tyre, por mbi bazën e një marrëveshjeje më të gjerë politike mes ekzekutivit, kryetarëve dhe faktorit ndërkombëtar.

“Pa një marrëveshje më të madhe politike ekziston rreziku që nëse do të kishim parcializim të situatës – në atë kuptim që do të ofronin dorëheqje gjysma e kryetarëve, përkatësisht dy nga ta – do të futeshim në një cikël edhe më problematik të zhvillimeve, ku, potencialisht, nuk do të garantohej as pjesëmarrja e komunitetit serb në zgjedhje”, thotë Cakolli për Radion Evropa e Lirë.

Si për aspektin procedural, ashtu edhe atë kohor dhe financiar, Cakolli thotë se dorëheqjet janë zgjidhja më e lehtë.

Por, sipas tij, hapat e deritashëm të Qeverisë nuk tregojnë se ajo ka vullnet për ndonjë marrëveshje politike me kryetarët.

“Insistimi i Qeverisë për të ndjekur modelin me anë të peticionit, sado që në dukje është demokratik, në vetvete nuk ka asnjë garanci që do të ketë pjesëmarrje të komunitetit serb në të dyja proceset [edhe në peticion, edhe në zgjedhje]”, thotë Cakolli.

Çfarë parasheh Udhëzimi Administrativ?

Udhëzimi Administrativ, i cili është bërë publik më 5 shtator nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, parasheh fillimisht inicimin e një peticioni për shkarkimin e kryetarit të komunës përkatëse dhe nënshkrimin e tij nga 20 për qind e votuesve të asaj komune.

Më pas, peticioni me nënshkrime do t’i dërgohej kryesuesit të kuvendit komunal dhe ai do ta dërgonte atë për verifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Nëse KQZ-ja vlerëson se janë ndjekur hapat e duhur, ajo organizon votimet për largimin e kryetarit nga funksioni.

Për largimin e tij do të duhen 50 për qind plus një votë e qytetarëve.

Sipas njohësve të çështjeve juridike-kushtetuese, votimi në bazë të këtij udhëzimi është një formë e referendumit, për të cilin Kosova nuk ka bazë ligjore.

Me Ligjin për vetëqeverisje lokale në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme për kryetarë mbahen në tri raste: nëse kryetari jep dorëheqje, nëse qytetarët e kërkojnë shkarkimin e tij përmes peticionit, dhe nëse kryetari nuk paraqitet në vendin e punës për më shumë se një muaj, pa arsye./REL

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme