Nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, ka hedhur akuza ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
Në llogarinë zyrtare të Listes Serbe në Facebook, thuhet se Kurti nuk do dialog e as paqe, por konflikt e hakmarrje.
“Kërcënimi që i dërguat sot nga Brukseli Listës Serbe dhe në radhë të parë popullit serb tregon qartë se ju Albin Kurti nuk doni dialog, nuk doni paqe, por doni konflikte dhe hakmarrje ndaj atyre që nuk mund t’i blini apo thyeni. Dhe prandaj shfaqni ankthin dhe fytyrën tuaj të vërtetë para syve të gjithë komunitetit ndërkombëtar sot”, thuhet në reagim.
Radoiçiq shkon edhe më larg, duke pretenduar se zgjedhjet në veri nuk u mbajtën pasi Kurti me njësinë speciale të Policisë, rrahën serbët.
Radoiçiq ka kërcënuar Kurtin duke thënë se koha do të tregojë kush do të pësojë në fund.
“Albin Kurti, si të gjithë pushtuesit, mund të bësh si të duash, por jo sa të duash. Koha do të tregojë se kush do të pësojë dhe do të paguajë në fund. Rroftë Serbia! Rroftë populli serb”, thuhet në reagimin e Radoiçiq në faqen zyrtare të Listës Serbë në Facebook. /Telegrafi/