Prokuroria Themelore Publike Shkup ka iniciuar procedurë hetuese kundër 33 vjeçarit nga Haraçina, për shkak se ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer vepër penale – Vrasje nga neni 123 paragrafi 3 lidhur me nenin 19 (në tentativë). Po ashtu, kundër të dyshuarit ka iniciuar procedurë për – Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm nga neni 288 paragrafi 1 i Kodit Penal, njofton Prokuroria, raporton Alsat.
Më 11 shtator, i dyshuari me dashje ka tentuar të vrasë dy persona të cilët kanë protestuar verbalisht për shkak se i njëjti ishte duke vozitur veturën Land Rover me shpejtësi të madhe në trotuarin e një qendre tregtare në Aerodrom, duke shkaktuar rrezik të konsiderueshëm për njerëzit.
Në momentin që viktimat kanë vërejtur rrezikun që po shkaktonte, ai ka kthyer mjetin dhe është nisur drejt tyre me shpejtësi të madhe me qëllim që t’i përmbysë. Ata janë larguar dhe i dyshuari ka dalë nga vetura me thikë në dorë dhe i ka shkaktuar katër plagë me thikë të dyve, duke i shkaktuar lëndime të shumta trupore./ Alsat.mk