Gazetar: Lluka Andreev
VMRO-DPMNE akuzoi presidentin Stevo Pendarovski se gënjen. Akuza erdhi pasi Pendarovski tha se disa persona janë konsultuar me të për amnisti të mundshme për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, shkruan Alsat.
Zyra e Presidentit më pas sqaroi se në dy raste i janë bërë propozime kreut të shtetit për faljen e politikanëve të caktuar ose për të mbështetur ligjin për amnisti për zyrtarët aktualë dhe ish zyrtarët.
Sipas kabinetit të Pendarovskit, këto propozime janë dërguar nga strukturat politike dhe të sigurisë të afërta me opozitën aktuale, si dhe nga ish-politikanë. VMRO-DPMNE përsëri i bëri thirrje Pendarovskit të tregojë se kush janë këta njerëz.
“Pendarovski duhet të ndalojë së përdoruri floskula dhe tituj, por t’ia bëjë të qartë opinionit se kush e ka konsultuar për amnisti, në të kundërtën do ta konsiderojmë si gënjeshtër tjetër nga ai. Fatkeqësisht, presidenti i vendit është fikus i qeverisë dhe president gënjeshtar”, u shpreh Naum Stoilkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
Nga VMRO-DPMNE-ja nuk ka përgjigje konkrete nëse ndajnë qëndrimin me partitë e opozitës shqiptare, se ka pazar politik për ndryshimet në Kodin Penal në këmbim të kthimit të Nikolla Gruevskit në vend.
Sipas partisë opozitare, ndryshimet në Kodin Penal janë për amnistinë e qeverisë dhe përpjekje për të shpëtuar nga përgjegjësia funksionarët aktual. Ndërkohë LSDM thotë se nuk bëjnë pazare për amnistinë e askujt.
Madje sipas partisë në pushtet sa herë që është dashur të arrihet ndonjë kompromis me VMRO-DPMNE-në, si për Ligjin për Prokurorinë Publike, ka qenë partia opozitare ajo që ka vendosur në tavolinë lëndë konkrete gjyqësore.
“Ata hapnin gjithmonë raste gjyqësore që donin të diskutonin. Këtë nuk e kemi pranuar dhe nuk do ta pranojmë as në të ardhmen. Prandaj nuk arritëm marrëveshje me DPMNE-në në vitin 2020, sepse ata erdhën në negociata me raste gjyqësore, por ne nuk pranojmë. Nuk ka treg për asnjë lloj amnistie, as treg me askënd për drejtësi dhe raste gjyqësore”, tha Bogdanka Kuzeska, zëdhënëse e LSDM-së.
Sipas analizave të disa prej organizatave joqeveritare, Gruevski me ndryshimet në Kodin Penal do të ishte shpëtuar nga disa vepra si “Trajektorja”, “Kosmos”, “Titanik” dhe “Talir”.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski paraprakisht tha se ndryshimet nuk janë bërë për askënd, ato tashmë janë në fuqi dhe nuk ka ndodhur asgjë dramatike./ Alsat.mk