Kryeministri, Dimitar Kovaçevski, pati një takim të shkurtër me kancelarin gjerman, Olaf Sholc, në kuadër të manifestimit për shënimin e 50 vjetorit të anëtarësimit të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, që u mbajt në selinë e Organizatës në Nju Jork.
Në takim u tha se Gjermania pret që Maqedonia e Veriut të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, duke theksuar se integrimi evropian dhe rruga evropiane janë alternativa më e mirë dhe e vetme për vendin. Vendimi shtetëror që duhet të merret në periudhën e ardhshme është e vetmja mundësi për të siguruar cilësinë e jetës së qytetarëve të RMV-së sipas standardeve evropiane dhe për të arritur anëtarësimin në BE deri në vitin 2030. Përndryshe, siç vlerësohet, qytetarët dhe shteti maqedonas me siguri do të përballen me izolim afatgjatë, gjë që nuk është në interes të Maqedonisë së Veriut, rajonit dhe Evropës.
Kryeministri Kovaçevski e falënderoi kancelarin Sholc për mbështetjen e madhe që marrim nga Gjermania në integrimet evropiane dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë. E njëjta gjë pasqyrohet qartë edhe në rezolutën e miratuar nga Bundestagu Gjerman që konfirmon përkushtimin tonë për integrim të përshpejtuar evropian me gjuhë, kulturë dhe identitet maqedonas. “Ky është konfirmim për nevojat dhe interesat nacionale dhe strategjike të qytetarëve të RMV-së”, tha Kryeministri Kovaçevski në takimin me kancelarin Sholc.