Joseph kërkon reagim nga Ambasada e ShBA-së në Serbi për vrasjen e policit në veri

Ligjëruesi në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, Edward Joseph, e ka vlerësuar qëndrimin e Ambasadorit të ShBA-së në Prishtinë, Jeff Hovenier, pas sulmit të mbrëmshëm që iu bë policisë së Kosovës në veri, ku mbeti i vrarë një polic, një tjetër i plagosur dhe një i lënduar.

Jeffrey Hovenier, në reagimin e tij tha se ShBA-ja dënon ashpër sulmet e orkestruara, të dhunshme ndaj Policisë së Kosovës mëngjesin e sotëm të 24 shtatorit.

“Policia e Kosovës ka përgjegjësi të plotë dhe legjitime për zbatimin e sundimit të ligjit sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës. Ne e njohim dhe respektojmë rolin e saj si reagues i parë në situata emergjente dhe krize. Ne vlerësojmë koordinimin e vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë dhe Forcës së NATO-s në Kosovë (KFOR), sipas rastit”, tha ndër të tjera Hovenieri.

Ai theksoi se autorët duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi dhe do të dalin para drejtësisë.

Ndërkaq, Joseph tha ndihet i inkurajuar nga reagimi i ambasadorit Hovenier, por shtroi pyetjen se përse nuk ka reagim ende nga Ambasada amerikane në Beograd.

“Zhvillime jashtëzakonisht serioze në Kosovë – dhe provë e angazhimit të ShBA-së në Ballkan. I inkurajuar nga ambasadori amerikan në Kosovë, reagimi i shpejtë dhe i bazuar në fakte i Hovenierit ndaj vrasjes së oficerit të Policisë së Kosovës. Pyetja ime: cili do të jetë qëndrimi i Ambasadës Amerikane në Beograd? Sugjerimi im: Ambasada Amerikane në Serbi duhet të ri-cicërojë menjëherë deklaratën e ambasadorit Hovenier. Hovenier ishte i kujdesshëm që të mos drejtonte gishtin – vetëm për të këmbëngulur që ‘kryesit … të sillen para drejtësisë’ për ‘këto akte të dhunshme kundër autoriteteve legjitime të Republikës së Kosovës’”, shkroi profesori Joseph në X, ish-platforma Twitter, raporton Klankosova.tv.

Ai e sqaron edhe kontekstin e këtij reagimi. “Zyrtarët amerikanë e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për veprime provokuese në veri; ShBA/BE kanë vendosur ‘masa’ ndëshkuese ndaj Kosovës. Ne e dimë se Prishtina do të mbajë përgjegjësi. Po Beogradi?”, shtoi ai.

Tutje, ai thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandar “Vuçiq fitoi lavdërimet e ShBA-së edhe pas sulmeve brutale, të paramenduara të 29 majit ndaj KFOR-it”.

“Pra, pse policia serbe të mos shkojë përpara më 14 qershor dhe të arrestojë tre policë të Kosovës, duke i ndaluar ata ‘me akuza të rreme’? [Ambasadori Christopher] Hill vlerësoi qëndrimin e Serbisë në bisedimet e fundit të Dialogut të Brukselit, edhe pse Beogradi vazhdon – duke përfshirë AP të OKB-së – të heqë dorë nga detyrimet e tij sipas Marrëveshjes Bruksel-Ohër. Ministri i Jashtëm Daçiq ka zhvilluar edhe një takim të profilit të lartë me ministrin e jashtëm rus Lavrov të sanksionuar nga ShBA-ja”, thekson profesori amerikan që dikur ishte zëvendësshef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.

Joseph kujtoi vitin 2011 kur ishte dëshmitar i ngjarjeve kur u vra polici Enver Zymberi në veri, dhe thotë se asokohe ShBA-ja, BE-ja dhe NATO-ja “e kaluan atë [ngjarje] me një qëndrim të palëkundur dhe të unifikuar – duke mos ndihmuar njërën palë, derisa mbajnë përgjegjës palën tjetër”.

Profesori në Universitetin Johns Hopkins thotë se vrasja e mbrëmshme e oficerit të Policisë së Kosovës ka ngritur në mënyrë dramatike rrezikun.

Ai kërkoi nga Sekretari i Shtetit, Antony Blinken, që të insistojë “në një qëndrim uniform, parimor dhe publik të ShBA-së në Beograd dhe Prishtinë”.

“Tani dhe më tutje. Frenimi i kësaj krize – dhe stabilizimi i Ballkanit – e kërkon këtë” qëndrim. /Klankosova.tv

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme