Kim Mehmeti: Të ndërtosh shtet pranë të eturve për gjak njeriu!

Nga Kim Mehmeti

Jo sot kur u vra edhe një polic i saj, po prej moti, Kosova tregon sa e rëndë është të ndërtosh ‘shtëpi’ pranë fqinjëve të etur për gjak njeriu. Si dhe në kohë kur i ligu – Serbia – miklohet dhe shpërblehet, për ta joshur të shmangë udhën e krimit dhe kur i urti dhe viktima – Kosova – dënohet pse nuk janë më të kujdesshme ndaj vrasësve të tyre.

 Po Kosova vështirë e ka të konsolidohet si shtet sepse ajo duhet të bashkëbisedoj për të ardhmen e vet me vrasësit e deridjeshëm të saj, të cilët nuk ndjehen keq pse i kanë duart e përgjakura, por pse nuk ia dolën të na shfarosnin.
Kosova nuk e ka të lehtë të konsolidohet si shtet sepse edhe shumë nga ata që e ndihmojnë atë të pajtohet me armikun e saj, janë të racës së keqe njerëzore që shëmtinë e vetë e mbulojnë me flamujt e rrejshëm të mirësisë njerëzore.

Por sido qoftë, sot kur toka e Kosovës u ujit edhe me gjakun e policit Afrim Bunjaku ajo më bindshëm se kurdo qoftë dëshmoi se gjitha orvatjet për ta zhbërë, atë vetëm e kanë forcuar dhe e kanë bërë më të qëndrueshme në betejën për të dëshmuar se shqipëtarët e saj e dinë se shtetin dhe lirinë i meriton vetëm për aq sa je i gatshin ato t’i mirëmbash dhe t’i mbrosh.

Dhe sot, kur Beogradi tregon hapur se ka mbet atë që ishte – kryeqendra e luftërave të reja ndëretnike – duhet kuptuar se sado paqësorë qofshim, ne s’kemi si e pengojmë atë në synimet e tij luftarake.

Andaj ne nuk duhet të merremi me atë se çka thonë për ne ‘Borrelot’ e ‘Lajçakët’ por të bëjmë atë që i jep kuptim jetës më shumë se çka do qoftë tjetër: pasardhësve tanë të mos ua lëmë trashëgimi turpin, por betejën e fituar ndaj një Serbie që dinë të nxitë luftë, por jo edhe të ndërtojë paqe si dhe ndaj burrështetasve të sotëm serb të cilët e kanë të vulosur në ballë urrejtjen ndaj nesh.

Pra ne sot si kurrë më parë duhet të jemi paqësorë që a kanë kuptuar se jo rrallë herë, kur e ke për fat të kesh ‘shtëpi’ pranë atyre që i lumturon fatkeqësia jote, lirinë dhe rehatinë vetjake duhet t’i ‘paguash’ me më të shtrenjtën që ke – me gjakun tënd! (Kim Mehmeti)/sakte.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme