Ish-kryeshefi i ministrisë serbe të mbrojtjes dhe anëtar i partisë “Srbija Qendër”, Petar Boshkoviq, me rastin e sulmit terrorist të javës së kaluar në afërsi të Banjskës, ku u vra një polic i Kosovës dhe tre terroristë serbë, ka thënë për N1 se për atë që ndodhi fajin e ka udhëheqja shtetërore serbe dhe këtë e vërteton fakti se ata janë duke heshtur.
Në anën tjetër, ka shtuar ai, Policia e Kosovës e ka ditur se çfarë do të ndodh dhe për këtë arsye nuk pati viktima civile.
“Në njërën anë keni amatorizëm të plotë, edhe pse pala kosovare pretendon se ata kanë qenë të trajnuar. Nëse do të ishin të trajnuar, do të kishin konflikt më të madh. Në anën tjetër, kemi pasur transmetim të gjithçkaje, që do të thotë se Policia e Kosovës ka ditur gjithçka.
Nuk ka pasur viktima civile, kanë lënë hapësirë që të largohen, i kanë arrestuar, pastaj i kanë liruar, Policia e Kosovës bëri gjithçka sipas standardeve evropiane dhe fitoi legjitimitet. Ajo arrestoi dhe më pas i lëshoi dhe kanë treguar se nuk janë mizorë, se punojnë sipas rregullores”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka thënë se shërbimet serbe e dinin me siguri se çfarë do të ndodh, ai nuk pajtohet me deklaratën e autoriteteve të Kosovës se ishte akt terrorist i serbëve, sepse, shton ai, “nëse ka qenë akt terrorist, a mendoni se 500 policë do t’i linin 50 terrorist të shpëtojnë, jo, do t’i vrisnin të gjithë”.
Ai thotë gjithashtu se Evropa nuk dëshiron që skenari ukrainas të jetë edhe këtu, sepse do të zbehte Ukrainën, e çka do t’i përgjigjej Rusisë, e çka ushqen dyshimin se në sulmin në Banjskë janë përfshirë edhe shërbimet ruse.
“Kur ke të bësh me krimin, kur ke Arkanët e shekullit të 21-të (Millan Radoiçiq dhe Zvonko Vesellinoviq), si mendon që do ta kalosh, si mendon se do të mbështetesh tek ata dhe si do ta kalosh”, – pyet Boshkoviq.
Ai ka shtuar se “e keni kryeministrin e Kosovës Kurtin që është një nxënës jashtëzakonisht i mirë i Demaçit, kështu që ai shkon në rezistencë gjatë gjithë kohës, mos e fajësoni Kurtin që e bën punën e tij – ai dëshiron të bashkojë territorin e vendit të tij, ai bën gjithçka që është në interes të popullit të tij”.
“Dhe ne po i ndihmojmë atij, i tërhoqëm 800 policë dhe të tjerë nga institucionet e Kosovës, Vuçiqi e liroi hapësirën dhe ia la “atë popull të shkretë Kurtit dhe agresionit të tij”. Ky komunitet nuk e ka ndihmën e Serbisë siç pretendohet, por i është lënë Kurtit. Vuçiq me diplomacinë e tij ka çuar në faktin se bota më nuk i po kupton serbët atje poshtë, do të kemi një eksod si në Nagorno Karabakh”, ka pretenduar ai.
I pyetur a pret që Radoiçiqi, i cili ka pranuar se e ka organizuar grupin e armatosur të serbëve të cilët e kryen sulmin në Banjskë, të arrestohet dhe të përgjigjet, Boshkoviq ka thënë se vetëm shpreson që Radoiçiqi të mbetet gjallë.
“Sepse një njeri i tillë na nevojitet si dëshmitar, ai është i vetmi i cili duhet të na tregojë si edhe përse është bërë kjo, kush i ka urdhëruar, kush e ka pajisur. Ai është dëshmitari më i kërkuar”.