Gazetare: Fatlume Dervishi
Mbeti pezull një përpjekje e pushtetit, konkretisht grupit parlamentar të BDI-së, për të futur pa paralajmërim në rend dite një ndryshim të ri në ligjin për lojërat e fatit, me flamur të Bashkimit Evropian. Kreu i Lëvizjes Demokratike Izet Mexhiti thotë se në parim janë për atë që parasheh ligji për largimin e kazinove në një distancë 500 metra nga shkollat dhe institucionet arsimore, megjithatë ai mendon se ligji nuk do ta zgjidhë problemin me lojërat e fatit.
“Kjo është edhe një përpjekje për ta keqpërdorur flamurin evropian, për ta kufizuar debatin. Në parim, nëse është në dobi të qytetarëve, atëherë pse ka nevojë të ngulfatet debati. Këtë e kanë një lloj kamuflazhe, gjoja se po i luftojnë kazinotë ose i largojnë nga qyteti kurse në të njëjtën kohë, pozitën e parë që e kanë marrë në qeveri ka qenë Drejtoria e Lotarisë që Maqedonisë dhe Drejtoria për lojërat e fatit. Në të njëjtën kohë, edhe pse ka pasur një koncesion 15 vjeçar me një ndërmarrje që merret me kazino, këto shkojnë duke e thyer ligjin duke future edhe 3-4 koncesione tjera të online-kazinove. Debate është për t’i larguar 500 metra kurse në të njëjtën kohë ka bërë çmos që nëpërmjet online-kazinove të futen në shtëpitë tona”, deklaroi Izet Mexhiti, kryetar i Lëvizjes Demokratike.
Mexhiti thotë se opozita shqiptare do të kërkojë me amendamente distancë të lojërave të fatit prej të paktën 3 kilometrave nga vendbanimet, të jenë në zona kufitare, ose në hotelet me 5 yje.
Nismën e re për ndryshim të rregullave për lojërat e fatit e kundërshton edhe VMRO-DPMNE-ja e cila vlerëson se kjo bëhet për tu hapur rrugë vendimeve të cilat qeveria tashmë i ka marrë, për zbatimin e bixhozit online.
“Të gjithë këto vendime janë jashtëligjore dhe prandaj shpejtohet për t’u miratuar ligj i ri, ndryshime të ligjit për lojërat e fatit që të mbulohen shkeljet e ligjit që i bën Artan Grubi për sjelljen e vendimeve dhe dhënien e licencave për firmat në të cilat në bordet drejtuese marrin pjesë njerëz nga kabineti i zv/kryeministrit Grubi. Ky është privatizim i lojërave të fatit dhe BDI-ja për fat të keq, nga parti që u brendua si e gjelbër, filloi të bëhet parti e kumarxhinjve dhe kazinove”, tha Antonio Molloshoski, VMRO-DPMNE.
Por nga BDI-ja thonë se qëllimi i ndryshimeve ligjore është largimi i lojërave të fatit nga shkollat.
Opozita akuzon pushtetin se me vendime të reja të qeverisë për themelimin e kompanive të reja do të mundësohet bixhozi online dhe se pushteti planifikon të lidhë marrëveshje me kompani të lojërave të fatit që kanë lidhje më mafian serbe dhe ruse. /Alsat.mk