Filatelia e Postës së Kosovës ka emetuar dy pulla postare me imazhet e personaliteteve të shquara të letërsisë dhe kulturës shqiptare: Ernest Koliqi dhe Ali Podrimja.
Ernest Koliqi ishte poet, mësues, eseist, përkthyes, gazetar dhe dramaturg. Ai dha kontribut të çmuar në krijimtarinë letrare shqiptare dhe në përkthime të veprave nga letërsinë botërore. Për arsimin kosovar, Dr. Koliqi ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në vitet 1939/41, kur si ministër i arsimit të Shqipërisë dërgoi një kuadro arsimor prej 200 mësimdhënësve, të cilët hapën qindra shkolla shqipe në trojet shqiptare në ish Jugosllavi. Veprimtaria dhe angazhimi i tij ishin të pandalshme, derisa u nda nga jeta më 17 janar 1975, transmeton Klankosova.tv.
Ali Podrimja ishte shkrimtar dhe autor i dhjetëra vëllimeve me poezi të vlerësuara ndërkombëtarisht. Si mjeshtër i rrallë i përdorimit të simbolikës dhe metaforës, arriti që te lexuesi t’i bartë edhe ndjenjat më komplekse dhe imazhet e pasura, prandaj me plot të drejtë cilësohet si përfaqësues më tipik i poezisë së sotme shqiptare. Krahas kontributit në letërsi dhe kulturë, Podrimja shquhej edhe për angazhimin e tij shoqëror e politik, andaj vlerësohej në të gjitha trojet shqiptare. Ai kështu vazhdoi deri në frymën e fundit të jetës së tij, më 21 korrik 2012.