Një ngjarje e rëndë ka ndodhur më datë 1 tetor ku një i mitur ka ndërruar jetë pas një ndërhyrje për dhëmbët në një klinikë dentare. Në orën 22:00 të kësaj date është paraqitur shtetasi B. Spahiu për të bërë kallëzim në Komisariatin 4 se në spitalin e fëmijëve i ka ndërruar jetë djali 3 vjeç.
Ky i fundit u dërgua në morg për të kryer ekspertizën mjeko-ligjore, përgjigja e të cilës ende nuk ka dalë.
Për shkak të numrit të lartë të dhëmbëve është vendosur të ndërhyhet me narkozë. Pasi ka mbaruar, fëmija nuk është zgjuar dhe mjeku u ka thënë shkoni në shpi se do të zgjohet.
Edhe në shtëpi, 3-vjeçari nuk është zgjuar dhe kanë telefonuar klinikën, por nuk u kanë hapur telefonin. Më pas e kanë dërguar në pediatri dhe ai ka qëndruar në gjendje kome 2 ditë dhe ka ndërruar jetë.
Policia ka bërë veprimet e para, është marrë në pyetje mjeku dhe stafi i klinikës dhe kanë deklaruar se i kanë dhënë sasinë e duhur, sipas tyre, të ilaçeve të narkozës. Rasti është referuar në prokurori për veprën penale “neglizhencë në mjekim”, e cila konsiderohet sipas Kodit Penal si kundravajtje penale dhe jo vepër penale. Policia dhe prokuroria po presin autopsinë e 3-vjeçarit për të kryer veprime të tjera.
© SYRI.net