Kuds
Përshkallëzimi i paprecedentë i konfliktit izraelito-palestinez ka shkaktuar shqetësim publik edhe në Kudsin Perëndimor, ku jetojnë izraelitët, edhe në Kudsin Lindor, ku jetojnë palestinezët, duke ndryshuar edhe rutinën ditore të njerëzve, raporton Anadolu.
Tensionet në rajon u përshkallëzuan skajshmërish pasi krahu i armatosur i Hamasit nisi operacionin “Tufani i Aksa-së” herët të shtunën, duke lëshuar një breshëri raketash dhe duke u infiltruar në Izrael nga toka, ajri dhe deti.
Palestinezët dhe izraelitët në rajon reaguan menjëherë ndaj zhvillimeve të fundit nga Gaza deri në kufirin libanez.
Krijohen radhë në markete, pezullohet arsimi me prani fizike
Në Kudsin Lindor dhe Kudsin Perëndimor të pushtuar, njerëzit nxituan drejt marketeve dhe filluan të grumbullonin ushqime dhe gjëra të nevojshme. Teksa u boshatisën raftet, në markete u krijuan radhë të gjata.
Procesi arsimor me prani fizike fillimisht u pezullua në Kudsin Lindor dhe Kudsin Perëndimor, e më pas arsimi online filloi edhe në qytete të tjera në Izrael.
Shumë biznese u mbyllën, ulet qarkullimi i njerëzve
Shumë biznese në qytet nuk janë hapur fare gjatë gjithë ditës. Lëvizshmëria e njerëzve është ulur në rrugën Jaffa, një nga pikat më të ngarkuara në Kudsin Perëndimor. Policia izraelite mori masa paraprake ekstreme në të dy anët e qytetit.
Qarkullimi i njerëzve dhe i automjeteve është i rënduar në Kuds, ndërsa në rrugët e qytetit kishte shumë pak aktivitet në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes.
Që nga dita e parë që shpërtheu konflikti izraelito-palestinez, sirenat e sulmit kanë rënë vazhdimisht në Kuds. Tingujt e shpërthimit u dëgjuan kur raketat e lëshuara nga sistemi izraelit i mbrojtjes ajrore “Iron Dome” shkatërruan raketat e lëshuara nga Gaza në ajër.
“Ne kemi frikë, por izraelitët kanë më shumë frikë”
Një palestinez i cili foli për Anadolu pranë një dyqani të stërmbushur me njerëz tha se ishte shumë i shqetësuar për ngjarjet.
“Ne kemi frikë, por izraelitët kanë më shumë frikë. Ata ishin të shqetësuar se ushtria, institucioni të cilit i besonin më shumë, nuk do të ishte në gjendje t’i mbronte”, tha palestinezi, i cili kërkoi të mbetet anonim.
Situata u përshkallëzua në Gaza pas një sulmi të grupit palestinez Hamas në qytetet izraelite pranë territorit bregdetar. Izraeli u kundërpërgjigj me sulme masive ajrore në Gaza dhe e vendosi enklavën nën bllokadë totale.